Arbëri

Mbrojtësja e institucioneve të shtetit udhëhiqet me ushtrues detyre

Qeveria e Kosoves - Foto: Driton Paçarada/KOHA

Foto: Driton Paçarada

Në Avokaturën Shtetërore posti i avokatit të përgjithshëm është me ushtrues detyre tash e një vit e gjysmë. Ligji nuk lejon që pozita të mbetet me zëvendësues për më shumë se 6 gjashtë muaj, thonë nga shoqëria civile. Sipas tyre, lënia e institucioneve me ushtrues detyre është mënyrë për t’i kontrolluar më lehtë ato

Avokatura Shtetërore është kompetente për të mbrojtur institucionet e shtetit kur paditen, por edhe vetë po bën shkelje të afateve ligjore, vlerësojnë në shoqërinë civile.

Posti i avokatit të përgjithshëm tash e një vit e gjysmë është me ushtruese detyre, ndonëse, sipas tij, Ligji për Zyrtarë Publikë nuk lejon që ky institucion të udhëhiqet me zëvendësues për më shumë se gjashtë muaj.

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin Kosovar për Drejtësi, u shpreh se kjo qeveri është karakterizuar me lënien e shumë pozitave me ushtrues detyre. Sipas tij, kjo i bën institucionet të lehta për t’u kontrolluar.

“Me gjithë faktin se ushtruesit e detyrës së institucioneve të caktuara mund të themi se i kanë ato kompetenca që i kanë edhe drejtuesit e rregullt, prapëseprapë kjo nuk mund të konsiderohet si një zgjidhje, për faktin se ushtruesit e detyrës nuk mund të ndërtojnë një strategji apo planifikim adekuat se si e shohin ata institucionin dhe zhvillimin e institucionit brenda mandatit të tyre”, ka thënë Shala.

Në Ministri të Drejtësisë thonë se i kanë shpallur tri konkurse për këtë pozitë, por nuk kanë mundur ta zgjidhnin avokatin e përgjithshëm dhe konsiderojnë që nuk po shkelet ligji.

“Pozita e zëvendësavokates së përgjithshme është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Znj. Fitore Gajtani është caktuar zëvendësuese e avokates së përgjithshme, me qëllim të përmbushjes së obligimeve ligjore për mbulimin e pozitës vakante të avokatit të përgjithshëm shtetëror”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në përgjigje, nga Ministria nuk kanë bërë të ditur nëse do të shpallin së shpejti edhe një konkurs për pozitën e avokatit të përgjithshëm.

Ushtruese e detyrës së avokates së përgjithshme në këtë agjenci të Ministrisë së Drejtësisë është Fitore Gajtani.