Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti për çështjen e presidentit: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur

Albin Kurti

(Lajm i përditësuar) - Kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, siç edhe pritej, ka folur për çështjen e presidentit. Kurti ka thënë se për bindjen e tij, profesori Murat Jashari, që vjen nga familja emblematike Jashari, do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur për president të vendit.

Kurti ka thënë po ashtu se edhe takimet me opozitën për këtë çështje kanë qenë konstruktive dhe se një figurë nga familja Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pas formimi të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, pasi kanë mbetur edhe shumë pak ditë për ta zgjedhur presidentin/presidenten. Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë kam ftuar në takim dy liderët e partive opozitare. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet që një figurë si e profesorit Murat Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kryeminstri Kurti ka deklaruar se për Kosovën do të ishte nder që profesori Murat Jashari të jetë president në kohën kur vazhdimisht vendi po përballet me kërcënime e sulme nga Serbia.

Sipas Kurtit për këtë Jashari konsiderohet zgjedhja e duhur në momentin e duhur.

“Do të ishte nder edhe duke parë sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresion terrorist një Banjskë, sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior. Kërkohet një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë. Në kohë të vështira kem igjetur mbështetje e frymëzim të familja Jashari ashtu siç kemi gjetur te kryekomandanti Adem Jashari, prandaj edhe sot zgjedhja e profesori Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur sërish për takimin me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën. Kurti ka thënë se presin që presidenti të vijë nga PDK-ja. Sipas Kurtit nëse nuk arrihet të gjindet një figurë unifikuese atëherë opsion mbetet që çdo subjekt të propozojë një kandidat të tij dhe t’i nënshtrohen garës në Kuvendin e Kosovës.

“Pas takimit me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, më është kumtuar se ata tashmë konsiderojnë që presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja. Unë mendoj që kandidati mund të vijë nga cilido subjekt. Por në fund përcaktohet vota në Kuvend. Nëse nuk arrijmë ta gjejmë një figurë unifikuese atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë një kandidat të vetë dhe t’i nënshtrohen garës në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka njoftuar po ashtu se nesër do ta takojë edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të folur për këtë çështje e për këtë proces.

Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se nëse subjektet pajtohen për garë të hapur atëherë edhe Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e vet. E rëndësishme sipas Kurtit është që vendi të mos i nënshtrohet edhe një procesi zgjedhor.


Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, pritet të diskutohet edhe çështja e presidentit

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur gjatë ditës së sotme ku parashihet të diskutohet edhe çështja e presidentit. Kështu deklaroi kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas një takimi që e zhvilloi të shtunën me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën.

Kurti një ditë më parë deklaroi se në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së, do të diskutohet çështja e presidentit por e ndërlidhi me “propozimet partiake”. Në një deklaratë për media pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kurti ka thënë se “kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”. Ai ka thënë se “propozimet partiake do të merren vesh shpejt”.

Ai ka deklaruar se ende nuk ka një emër konsensual për president të shtetit, teksa ka thënë se shpreson që javën tjetër të ketë garë për këtë post.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani gjithashtu edhe profesori dhe ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami kanë shpallur kandidaturat e tyre për postin e presidentit.