Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti thotë se duhet evituar zgjedhjet, Abdixhiku ofron votën për cilindo propozim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, përfshirë as ndaj Vjosa Osmanit, pas takimit të dytë që mbajti me kryeministrin Albin Kurti, e ku u bisedua për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. E kryetari i Vetëvendosjes tha se duhen 85 vota për të qenë i sigurt që procesi të përfundojë me sukses, përkatësisht të shmangen zgjedhjet

Nuk ka prodhuar rezultat as takimi i dytë mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, në “përpjekjen” e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri. 
Pas takimit të mbajtur të hënën, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani. 

“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.

Abdixhiku tha se nëse edhe Vetëvendosja, edhe Partia Demokratike hyjnë në garë me nga një nominim për president, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Me 66 votat e koalicionit qeverisës dhe 15 deputetët e LDK-së do të siguroheshin 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, që afat kushtetues ka deri më 5 mars

“Pra në qoftë se vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse nuk e di se si do t’i bëjnë 80 vota por konsensusi bën president. LDK-ja ka qenë e angazhuar të gjejë president. Pra të gjejë një emër konsesual, jo zgjatim të qeverisë, mos të jetë vazhdimësi e qeverisë, e sidomos e një qeverie që i ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundër balancë”, ka deklaruar lideri i LDK-së. 

Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë. 

“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse  i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti. 

E për kandidaturën e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk i ka votat e mjaftueshme. 

“Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk duhet të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por nja 84-85”. 

Kurti ka deklaruar më herët se beson që Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit.

Megjithatë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Ndryshe nga Jashari, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. Partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për, siç kanë thënë, njëanshmëri në favor të Qeverisë. 

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Kurti ka thënë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe procesi të zhvillohet përmes garës në Kuvend.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.