Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur Grupin Parlamentar të partisë nga ora 14:00. Mbledhja mbahet një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se zakonisht takimet e GP së LDK-së “mbahen një ditë para seancës për koordinim për të gjitha temat”.

Ndërkohë një ditë më parë, Abdixhiku u takua me kryeministrin në detyrë, njëherit kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Takimin e cilësoi të mbarë, por deklaroi se duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të tri postet: Kuvend, Qeveri e Presidencë.

Po ashtu ka thënë se LDK-ja nuk e do postin e kryetarit të Kuvendit.

Abdixhiku për takim të mundshëm sot me Kurtin: S’ka asgjë të re

1 muaj më parë / 5 gus 2026 16:02
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokrtike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të grupit parlamentar të kësaj partie ka deklaruar se nuk ka takim të planifikuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Dje pata konferencë, nuk kam çka të shtoj. Nuk ka asgjë tjetër të re”- deklaroi shkurtimisht Abdixhiku para mediave.

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami para takimit ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por ka vlerësuar se posti i presidentit për LDK-në do të ishte një mekanizëm për balancimin e pushteteve në vend.

Zemaj: Marrëveshja duhet të jetë për partneritet, jo për nënshtrim

1 muaj më parë / 5 gus 2026 14:47
Zemaj: Marrëveshja duhet të jetë për partneritet, jo për nënshtrim

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se një marrëveshje potenciale me Vetëvendosjen për formim institucionesh duhet të jetë për “partneritet dhe jo për nënshtrim”.

Para mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë, Zemaj ka thënë se në takim presin të njoftohen nga kryetari Lumir Abdixhiku për takimin e një dite me parë me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

Ai ka thënë institucionet nuk duhet t’i takojnë vetëm një pale.

Sa i përket deklaratës së Kuvendit të LDK-së që deputetët janë të obliguar të votojnë sipas vendimit të partisë, Zemaj ka thënë se nuk ka pasur nevojë që qëndrimet statutore t’u rikujtohen.

“Jemi anëtarë të devotshëm LDK-së edhe me shumë vite përvojë. Po si do që të jetë, mendoj që një marrëveshje duhet të përmbajë partneritet dhe jo nënshtrim. Ndërsa nënshtrimin nëse dikush e pëlqen pozitën e vet para interesave të LDK-së, mendoj që është e gabuar”, ka thënë ai.

Sa i përket kushteve për një marrëveshje të mundshme, Zemaj ka shtuar se ajo duhet të garantojë stabilitet institucional dhe bashkëpunim të sinqertë.

“Marrëveshje që krijojnë stabilitet institucional, që ka partneritet të sinqertë dhe që nuk janë vetëm sa për sy e faqe ose sa për të përmbushur interesat e individit ose qëllimin e nënshtrimit të një partie mbi një parti tjetër”, ka thënë ndër të tjera Zemaj.

Bajrami: Kurti po na ofron pjesëmarrjen në qeveri, duam presidentin

1 muaj më parë / 5 gus 2026 14:22
Hykmete Bajrami

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po i ofron LDK-së pjesëmarrje në qeverinë e re, por sipas saj, një marrëveshje e mirë do të ishte që presidenti t'i takojë LDK-së.

Bajrami ka thënë se kërkesa e LDK-së për presidentin është e arsyeshme, pasi do të siguronte një balancim të pushteteve në vend.

“Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se ofertat aktuale të Kurtit për disa poste ministrore nuk përbëjnë garanci afatgjate.

“Por ka edhe marrëveshje të tilla si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh. Ka edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit, dhe këtë e konsideroj një balancë të pushteteve për Kosovën. Atëherë, natyrisht, do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, deklaroi Bajrami.

Deputetja e zgjedhur theksoi gjithashtu se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe se mbështet arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ajo që mund të them është se jam kategorikisht kundër shkuarjes përsëri në zgjedhje dhe jam për një marrëveshje të mirë, një marrëveshje që është e mirë për Kosovën, por edhe për LDK-në”, shtoi Bajrami.

Lushaku-Sadriu: Kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së

1 muaj më parë / 5 gus 2026 13:59
Jehona Lushaku

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se kërkesa e partisë së saj në raport me negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje është që ta kenë postin e presidentit. 

Lushaku-Sadriu foli para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së një ditë para seancën konstituive të Kuvendit. 

“LDK-ja gjithmonë ka thënë se institucionet kryesore të kenë balancë. Edhe në këtë kuptim, kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së dhe pushteti të ndahet në mënyrë proporcionale”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

E pyetur nëse sot do të ketë takim tjetër mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ajo ka thënë se nuk ka dijeni.

Një ditë më parë, Abdixhiku pas takimit treorësh që pati me Kurtin deklaroi se nuk janë të interesuar për postin e kryetarit të Kuvendit.