Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për certifikimin e listës së votuesve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Vota e vetme kundër certifikimit ishte e asaj të anëtares së Listës Serbe, Gordana Llaban.
Sipas listës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendovtime në Republikën e Kosovës është 2,025,105, ndërsa numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës do të organizohet në 938 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime.
U miratua dizajni i fletëvotimeve dhe broshurave. Anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, abstenuan duke thënë se do të miratojnë vetëm fletëvotimet ku nuk figuron Lista Serbe.
Mbledhja e KQZ-së nis me debate nga Lista Serbe
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur mbledhjen e sotme me debate të nxitura nga Lista Serbe në lidhje me pikat e rendit të ditës.
Anëtarja e kësaj partie në KQZ, Gordana Llaban, u ankua për marrjen me vonesë të materialit duke kërkuar shtyrjen e takimit ose mbajtjen e takimit pa praninë e saj.
“Pesë minuta para takimit ma keni dhënë tabelën. Kjo është arsyeja pse nuk kam ardhur në takim. Nuk dua të kem konflikt me askënd”, ka thënë ajo.
Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja Sami Hamiti ka hedhur poshtë pretendimet e anëtares së Listës Serbe duke thënë se puna e KQZ-së është transparente.
“Qetësohu, s’ke nevojë të bëhesh nervoz...Asnjë dilemë nuk e kemi atë punë, e kemi vendosur sipas ligjit për zgjedhje...S’keni dashur të merrni pjesë”, ka thënë Hamiti.
Në debat u përfshi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, duke thënë se e gjithë kjo është pasojë e vendimeve të gjykatave të Kosovës.
“I gjithë ky debat është shkak e pasojë e vendimeve jokushtetuese e joligjore të gjykatave tona. Kurgjo tjetër...Tash normalisht edhe Kushtetuesja, del e ndal një Parlament dhe i bllokon institucionet tona”, tha Krasniqi. “...Ju jeni përfaqësuese e një subjekti që është i përfshirë në aktivitete terroriste...Ju edhe në shkurt, por edhe tash jeni duke përfaqësuar për t’i shkelur të gjitha subjektet e tjera të komunitetit serb...Arsyeja e vetme pse kërkohet numër më të madh që këta (Lista Serbe) ta kenë, është për të vazhduar terrorin që ia bëjnë komunitetit të tyre”./KSP