Objekti i shkollës “Aziz Sylejmani”, ku procesi mësimor mbahet në kontejnerë, është vandalizuar nga persona ende të panjohur për organet e rendit.
Mbishkrimi “Wagner”, i njohur si grup mercenar rus, është vendosur në objektin, i cili ndodhet në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut.
Këta dy kontejnerë përfaqësojnë shkollën e vetme shqipe në këtë komunë.
Për ta rritur sigurinë për nxënësit dhe stafin, drejtori i shkollës, Flamur Gacaferi, ka kërkuar që një patrullë e policisë së Kosovë të qëndroi afër objektit gjatë gjithë kohës.
Për një orë sa qëndroi ekipi i KOHË-s tek objekti i shkollës, i cili është në mes të shtëpive të banuara me serbë, asnjë patrullë e policisë nuk u pa.
Në Policinë e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse kërkesa e menaxhmentit të shkollës është marrë parasysh.
E Gacaferi ka thënë se në situatën në të cilën ndodhen, kushtet për të zhvilluar procesin mësimor janë rënduar.
Prindërit dhe nxënësit nuk pranuan të flasin me arsyetimin se u rrezikohet siguria.
Për më shumë se dy dekada, shkolla “Aziz Sylejmani” nuk ka objekt të vetin, e procesin mësimor e zhvillon në tri hapësira të ndryshme. Përpos në Lagjen e “Kodra e Minatorëve”, një pjesë tjetër e nxënësve procesin mësimor e zhvillojnë në fshatin Suhudoll dhe një tjetër në objektin e shkollës “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicës të Jugut.
Objekti ku para dy dekadash mësonin nxënësit shqiptarë, tani shfrytëzohet nga nxënësit serbë.