Mbi 500 studentë më shumë pritet që të pranohen në Universitetin e Prishtinës për vitin e ri akademik, krahasuar me 2024-n. Disa programe vazhdojnë të përballen me mungesë të interesimit, për ç’gjë zyrtarë të UP-së thanë se sfidë mbeten promovimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e buxhetit. Në Rektorat theksuan se numri i pranimeve lidhet me kriteret e akreditimit dhe nevojat e tregut të punës.
555 vende më shumë do të jenë të hapura në Universitetin e Prishtinës këtë vit akademik për 3 nivelet e studimit, krahasuar me vitin e kaluar.
Për vitin akademik 2025/2026, ky Universitet planifikon të pranojë mbi 8 mijë e 200 studentë.
Por, në Fakultetin e Filologjisë thonë se drejtimet si: Departamenti i Frëngjishtes e Orientalistika janë ndër degët që përballen me numër të ulët të studentëve.
Dekani i këtij fakulteti, Abdullah Rexhepi, thekson se ky problem më herët ka qenë edhe në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, por me ndarjen e bursave për studentë interesimi është rritur.
“Tregu i punës e determinon shumë edhe interesimin e studentëve për të studiuar në një departament. Për shembull, për t’u punësuar me gjuhë dhe letërsi frënge e orientalistikë është shumë më problem sesa për ata që studiojnë gjermanishten”, ka deklaruar ai.
Problem me numrin e ulët të studentëve aktivë tash e sa vjet ka edhe Departamenti i Fizikës.
Sekretari i kësaj dege, Ibrahim Hameli, thotë se mangësi kryesore mbeten mungesa e buxhetit dhe një strategji promovuese për këtë institucion.
“Besoj se aspekti financiar ndikon, sepse transporti, lëvizja, ardhja dhe shkuarja ndikon e dikush duhet t’i mbulojë dhe kjo është një nga kufizimet. Por, më shumë se aspekti financiar është ndoshta kjo inercia e përgjithshme që nuk kanë menduar shumë për këtë punë dhe tani po presin një lloj mrekullie që ata thjesht le të vijnë”, u shpreh Hameli.
Edhe në Parlamentin Studentor theksuan se mungesa e informimit të maturantëve mbetet sfida kryesore.
“Po ashtu, konkurrenca me institucionet private dhe migrimi janë faktorë që ndikojnë në interesimin e përgjithshëm. Bashkëpunimi këtë vit ka qenë i ngushtë dhe shumë produktiv. Universiteti i Prishtinës dhe Parlamenti Studentor kanë bashkorganizuar kampanjën e promovimit, e cila është realizuar në një numër të madh të shkollave në Kosovë”, ka deklaruar Plaurat Krasniqi.
Në Rektorat mohuan të jenë përballur ndonjëherë me mungesë të interesimit të studentëve.
“Numri i studentëve është i kornizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim me rastin e akreditimit të një programi të caktuar. Një nga kriteret për vlerësimin e programeve është edhe argumentimi nga ana e Universitetit për kompatibilitetin e programit të caktuar me nevojat e tregut apo të shoqërisë në përgjithësi. Prandaj numrat e shpallur për secilin program reflektojnë edhe vlerësimin e nevojave dhe kërkesave të tilla”, u shpreh Majlinda Gjelaj, prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studimore.
Sipas të dhënave në UP, numri më i madh i studentëve që do të pranohen këtë vit për 3 nivelet e studimit do të jetë në Fakultetin Ekonomik me mbi 1.600 vende të lira, Fakulteti Juridik me afro 880 vende e Fakulteti i Filologjisë me afër 760 vende.