Tash e disa javë banorët e një lagjeje në Lipjan po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kjo gjendje po u shkakton vështirësi të mëdha ngase rrymën gjatë dimrit e përdorin edhe për ngrohje.
Mbi 200 familje në lagjen “Jeta e Re” në Lipjan prej javësh po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, si pasojë e defekteve dhe mungesës së një trafoje me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e nevojave të tyre.
Banorët thonë se mungesa e rrymës po ua vështirëson jetesën pasi që gjatë dimrit ata ngrohen me energji elektrike. Ata tashmë janë ankuar në KEDS-s rreth problemeve, porse deri më tash thonë se përgjigje nuk kanë marrë.
“Prej ka tre javë për çdo natë po ndalet rryma nga 4 apo 5 herë. Problem po kemi, shporetat e rrymës dhe krejt gjërat po shkojnë dëm”, ka thënë Ismet Lecaj, banor i lagjes.
“Problem me rrymë po kemi se po e ndalin, gjërat po na dëmtohen, po digjen. Vjen kohë e pa kohë, çka me i bo. Po e ndalin shpejt e lëshojnë shpejt. Ma shumë pa rrymë se me rrymë”, ka thënë Shani Bytyqi, banor.
Ali Stublla, banor i kësaj lagjeje, thotë se me probleme të tilla banorët janë përballur edhe gjatë dimrave të mëparshëm.
“Trafoja e cila ka qenë me kapacitet më të madh KEDS-i e ka hequr dhe e ka sjellë më të vogël, tash kjo lagje i ka mbi 200 familje dhe e vetmja trafë funksionon dhe nuk i përballon. Sidomos në mbrëmje kur fillon të nxehen banorët apo t’i përdorin elementet shtëpiake, vazhdimisht del prej shkyçjes dhe kush nuk merret me të”, ka thënë Stublla.
Ndërkaq nga KEDS-i gjatë të mërkurës nuk u janë dhënë përgjigje pyetjeve të KOHËS për çështjen.