Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mazhoranca e PSD-ja synojnë “pensionimin” e Thaçit nga dialogu

Përpjekja e deputetëve të mazhorancës, të cilët bashkë me PSD-në e Shpend Ahmetit kanë nisur përpjekjen për themelimin e një Delegacioni Shtetëror, synon “pensionimin” e Hashim Thaçit nga negociatat me Serbinë.

Në Nenin 4 të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror në procesin e dialogut me Serbinë, një kopje të të cilit e ka siguruar Kohavisioni, rregullohet procedura për ngritjen e Delegacionit Shtetëror.

“Delegacioni Shtetëror për dialogun me Republikën e Serbisë do të mandatohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të këtij Neni. “Delegacioni Shtetëror do të jetë entiteti/organi i vetëm i autorizuar për ta drejtuar Dialogun”, thuhet në pikën pasuese dhe të vetme të këtij Neni.

Lexo edhe: Dy dokumentet me të cilat pushteti e PSD-ja synojnë bashkimin për dialogun

Presidenti përmendet vetëm një herë në gjithë projektligjin, dhe atë në Nenin 11, që flet për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror.

Pika e parë e këtij Neni thotë se bashkëdrejtuesit janë përfaqësuesit e Delegacionit Shtetëror, në këtë rast një nga pozita e një nga opozita. Aty thuhet se “Delegacioni Shtetëror do ta mbajë të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në Procesin e Dialogut”.

3. Delegacioni Shtetëror:

Drejton procesin e dialogut me Serbinë;

Përfaqëson Republikën e Kosovës në Dialog;

Miraton strategjinë negociuese të përgjithshme dhe ato për secilën temë;

Bashkërendon agjendën e dialogut sipas Platformës shtetërore dhe sipas dakordimit me lehtësuesit/ndërmjetësuesit të dialogut;

Bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucional (President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, Ministra etj.) kur këto duhet të mbahen;

I raporton komisionit monitorues të Kuvendit pas ccdo takimi me palën serbe, dhe/ose me lehtësuesit/ndërmjetësuesit;

Miraton pozicionet fillestare të Kosovës për secilën temë të dialogut.

E së paku në dy pika të tjera, dokumenti për Mocionin për Dialogun, saktësisht “rezoluta mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, bie ndesh me idetë të cilat Thaçi i ka shtyrë përpara me ngulm muajve të fundit.

Rezulota, nëse miratohet me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ia jep rolin qendror këtij institucioni.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës mbanë rol qëndror në procesin e Dialogut. Delegacioni shtetëror, i votuar dhe i mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka të drejtë dhe mban përgjegjësi të negociimit dhe arritjes së marrëveshjes gjatë procesit të Dialogut”, thuhet në Rezolutë, përcjell Koha.net. “Mandati i liderëve institucionalë të Republikës së Kosovës në proces të Dialogut do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çdo veprim i tyre përtej mandatit të saktësuar me Kushtetutë do të konsiderohet i pavlefshëm dhe do të përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në këtë pikë.

Te “Përkufizimi dhe korniza e dialogut”, thuhet se “Kuvendi i Republikës së Kosovës konsideron se, për qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Republikës së Kosovës, janë tri çështje fundamentale që e formësojnë kornizën, përmbajtjen dhe karakterin e Procesit të Dialogut dhe të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të dala nga ai”. E para, aty është “Integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës”.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme”, thuhet në këtë pikë.

Artikuj të ngjashëm