Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MASHTI: 97% e aplikuesve janë subvencionuar për librat

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka njoftuar të premten se ka proceduar pagesat e 97 për qind të aplikuesve për blerjen e librave për nxënësit nga klasa I deri IX.

Sipas njoftimit, deri sot nga platforma eKosova janë pranuar 191.483 aplikime nga të cilat, 111.745 aplikime për klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore si dhe 79.738 aplikime për klasat 6-9 për materiale shkollore.

“Nga grupi punues i MASHT dhe MFPT janë verifikuar dhe proceduar pagesat e 97% të aplikantëve dhe ky proces është duke u përmbyllur me sukses. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI)ka njoftuar se të gjitha rasteve të aplikantëve për fëmijët e regjistruar në klasën e parë nën moshën 6 vjeçare, pas kërkesës në [email protected] u është lejuar mundësia e aplikimit”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, janë zgjidhur rastet për furnizim me tekste shkollore për komunitetet jo shumicë dhe grupet e nxënësve me kujdestari ligjore.

“Deri më tani në adresë të MASHTI, nuk kemi pranuar asnjë ankesë zyrtare nga komunat apo shkollat lidhur me furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore. Me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa përfituar nga kjo mbështetje, platforma eKosova do të qendrojë e hapur dhe po ashtu do të mundësojmë edhe aplikimin fizik në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat”, vijon njoftimi.

MASHTI ka falënderuar të gjithë prindërit, mësimdhënësit, punëtorët dhe institucionet arsimore për bashkëpunimin në këtë proces të furnizimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm