Jo të gjithë prindërve të nxënësve u kanë dalë mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore, ndonëse është bërë një muaj prejse ka nisur viti shkollor. Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se në proces verifikimi janë mbi 3 mijë aplikime
Kur ka mbetur edhe një ditë para mbylljes së afatit për aplikim për subvencionim të teksteve dhe materialeve shkollore, një numër prindërish të nxënësve janë ankuar se ende nuk u kanë dalë në llogari mjetet financiare.
Një nga prindërit, i cili i ka tre fëmijë në shkollë, ka thënë në kushte anonimiteti se vetëm për njërin prej tyre i janë ekzekutuar mjetet në llogarinë bankare.
“Është shumë telashe, sepse këto mjete janë të domosdoshme për procesin mësimor. Dikush që i ka tre fëmijë ose katër fëmijë, nuk ka mundësi t’i blejë librat. Jam ankuar shumë, kam telefonuar disa herë, por askush nuk është përgjigjur. Është telashe, unë i kam tre fëmijë, nuk mundem të arrij që t’i blejë tekstet shkollore për tre fëmijët”, ka thënë ai për KOHËN.
Ankesa për mosekzekutimin e mjeteve kanë adresuar edhe prindër të tjerë. Ato i kanë shprehur në komentet në faqen që Ministria e Arsimit e ka në Facebook.
Një prej prindërve ka thënë se ka aplikuar për dy fëmijë dhe asnjë cent nuk e ka marrë. E një tjetër prind ka theksuar se aplikimin e ka bërë para një muaji.
“Unë nga 15 ngushti kam aplikuar dhe në email adresë më ka ardhur se keni hyrë në listën e pagesës, edhe ende s’e kam marrë asnjë cent”, është ankuar një prind.
E në Ministrinë e Arsimit (MASHTI) kanë thënë se të gjitha aplikimet e verifikuara janë proceduar për realizim të pagesave.
“Në total janë 203.865 aplikime, prej të cilave janë trajtuar 200.679 aplikime. Nga këto, 195.343 aplikime janë aprovuar, ndërsa 5.336 aplikime janë refuzuar nga koordinatorët nëpër shkolla, (pasi nuk kanë qenë nxënës të regjistruar në shkollat e Kosovës në nivelin e shkollimit 1-9). Për momentin janë në pritje nga koordinatorët për verifikim gjithsej 3.186 aplikime”, është thënë në njoftimin e MASHTI-it.
Më 15 gusht, Ministria e Arsimit e ka hapur mundësinë e aplikimit nëpërmjet platformës e-Kosova, për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore. Sipas Ministrisë, për secilin fëmijë të klasave nga 1 deri në 9 do të ndahen nga 80 euro.
Ky është viti i tretë që aplikohet forma e subvencionimit të teksteve mësimore, dhe jo sigurimi i tyre nëpërmjet procesit të prokurimit. Parti opozitare, sindikata dhe prindër të shumtë e kanë kërkuar kthimin e formës së mëhershme të mbështetjes, duke ua siguruar nxënësve tekstet në shkollë.