Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Marshi “BOLL MA! abuzimi nuk fshihet brenda mureve” kërkon zgjimin e institucioneve

Për të kërkuar zgjimin e institucioneve në luftën kundër abuzimit të vajzave dhe grave në Prishtinë është organizuar një marsh protestues. Drejtuesit e organizatës joqeveritare “ArtPolis” kanë thënë se nisma “Boll Ma!...” është një thirrje për ta ndaluar abuzimin ndaj grave brenda e jashtë mureve, në hapësira publike e private. Në protestë u tha se mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit.

Me moton “BOLL MA! abuzimi nuk fshihet brenda mureve”, në kryeqytet është marshuar kundër abuzimit seksual, fizik, emocional e ekonomik ndaj grave me aftësi të kufizuara.

Marshi i organizuar nga organizata joqeveritare “ArtPolis” u tha se ka qëllim parandalimin dhe raportimin e abuzimeve seksuale.

Aktivistja Resmije Rrahmani deklaroi se ky aktivitet është mundësia më e mirë për të penguar përkeqësimin e situatave të tilla.

“BOLL MA! Është një thirrje për të ndalur abuzimin kundër grave brenda dhe jashtë mureve, në hapësira publike e private. Mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit. BOLL MA synon të jetë zëri i revoltës, që tenton të sfidojë e dënojë mizogjeninë, racizmin, seksizmin, diskriminimin dhe dhunën në gjitha format e saj”, ka thënë Rrahmani.

Ka shtuar se prej 2273 rasteve të dhunës në familje këtë vit, 1897 prej tyre janë ndaj vajzave dhe grave.

Edhe Në marshin për 8 Marsin bëhet thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë LAJMET E MBRËMJES Në marshin për 8 Marsin bëhet thirrje për barazi dhe drejtësi për gratë

Ndërsa aktivistja tjetër Mimozë Musliu shprehu keqardhje që marshimi nuk u përkrah edhe nga institucionet shtetërore.

“Ky marsh është një dritë në fund të tunelit, sa u përket rasteve të ngacmimit, dhunimit të grave me aftësi të kufizuar. Është për keqardhje që shteti nuk është bashkangjitur, edhe pse ne jemi një kategori e margjinalizuar prapë jemi si të gjithë”, ka deklaruar Musliu.

Drejtoresha e “ArtPolis”, Zana Hoxha, potencoi se shoqëria kosovare anashkalon çështjet delikate që i prekin grupet e margjinalizuara.

“Janë mbledhë për herë të parë në një marsh të tillë që i dedikohet ndaljes së abuzimit të grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, sepse në shoqërinë tonë fatkeqësisht nuk flitet fare për abuzimin e këtyre grupeve të shoqërisë…”, është shprehur Hoxha.

Edhe Muret e institucioneve mbushen me mbishkrime kundër dhunës ndaj grave Arbëri Muret e institucioneve mbushen me mbishkrime kundër dhunës ndaj grave

Përmes marshimit, aktivistët bënë thirrje për bashkimin e qytetarëve në kauza të përbashkëta.

Thanë se vetëm në këtë mënyrë krijohet barazia gjinore dhe sociale.