Shtojca për Kulturë

Revoltë për ato që s’janë më

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” nisi me pak vajza e gra këtu e gjashtë vjet më parë. Qëllimi parësor i tyre: reformim social e institucional. Hapi i parë konkret që dëshmon përmbushjen e një pjese të misionit disavjeçar është “transformimi” i 8 Marsit nga Dita e Nënës në ditën e vajzave e grave në vend. Slogani “Nji e ardhme më e mirë është e mundshme” arriti të jehojë edhe këtë vit dhe jo vetëm në kryeqytet

Tash e gjashtë vjet, në rrugët e Prishtinës dëgjohen thirrjet për ato që s’mund të ngrenë zërin e tyre. Në hapësira publike ekspozohen pankartat me mesazhe, e me aksioneve simbolike synohet të ndryshohet mendimi për një datë e cila edhe sot shënohet me festë.

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” nisi me pak vajza e gra në vitin 2016. Qëllimi parësor: reformim social e institucional. Hapi i parë konkret që dëshmon arritjen e një pjese të misionit disavjeçar është “transformimi” i 8 Marsit nga Dita e Nënës në ditë e vajzave dhe grave.

Mirëpo për organizatorët, misioni mbetet ende i pandryshuar. Nga marshi i vitit të kaluar nuk ka ndryshuar as motoja. Ky vit ka filluar me lajmet për vdekjen e grave, pavarësisht raportimit në polici për dhunë, për dhunimet seksuale a rrahjet brutale. Kjo qe arsyeja e sivjetme e marshimit: revoltë për ato që s’janë më.

8 Marsi – ditë politike dhe jo festë

“’Marshojmë s’festojmë’ si nismë ka qenë rilindje e idesë së 8 Marsit, si një ditë e cila është politike e jo e kremtes”, thotë njëra nga themelueset, profesoresha Vjollca Krasniqi. “Ideja rreth ‘Marshojmë s’festojmë’ konsiston gjithashtu edhe në mesin e studenteve të reja, të cilat kërkojnë më shumë sa i përket barazisë gjinore dhe s’janë të kënaqura me politikën gjinore e cila nuk i sfidon elementet kyç të kulturës tradicionale”.

Sipas profesoreshës në Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik në UP, ky marsh sjell në vëmendje thelbin e pabarazisë gjinore në kulturën patriarkale, e që kjo reflektohet edhe në institucione.

Image
E kuqja ka dominuar në secilën hyrje të institucioneve në Pallatin e Drejtësisë. Qe simbolikë e gjakut të grave të vrara. “Edhe sa gra të vrara?”, është ngjyrosur me të kuqe, për të mbetur gjurmë në secilën pjesë

“Një element i ‘Marshojmë s’festojmë’ është se e kanë rimenduar elementin e qytetarisë, se çka është të jesh qytetar në Kosovë, gjinia, orientimi seksual, religjioni, përkatësia gjuhore”, shton ajo, teksa si referencë përmend komunikatat të cilat publikohet në të gjitha gjuhët që fliten në Kosovë.

Ajo përmend edhe “strukturën horizontale e jo hierarkike” të këtij kolektivi, si dëshmi e barazisë dhe qëllimi të përbashkët drejt drejtësisë gjinore.

“Nuk ka të bëjë me kush e udhëheq kolektivin. Është një formë e ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë”, thotë ajo për bashkimin e organizatave joqeveritare, aktivisteve e aktivistëve nën ombrellën e kolektivit.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, “Marshojmë s’festojmë”, e ka bërë ndryshimin.

“Sepse gjithmonë 8 Marsi është konsideruar si ditë e nënave, por sot e patë turmën dhe e ngrenë zërin kundër dhunës ndaj grave”, thotë ajo duke aluduar te marshi i sivjetmë i cili për tri orë është zgjeruar nëpër lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

“Nji e ardhme më e mirë është e mundshme”

Slogani “Nji e ardhme më e mirë është e mundshme” arriti të jehojë edhe këtë vit. Aktivistët e aktivistet morën rrugën nga Pallati i Drejtësisë, për të vazhduar nëpër disa lagje të Prishtinës me ecje në këmbë. Turma gjithmonë rritej e mesazhi bëhej edhe më i qartë.

“Edhe sa thirrje të humbura?”, “Prokuroria i ka duart me gjak”, “Poshtë policia patriarkale” e “Gjykata i ka duart me gjak” kanë qenë veç disa nga thirrjet. Mirëpo, aksionet nuk kanë mbaruar vetëm me pankarta e thirrje.

E kuqja ka dominuar në secilën hyrje të institucioneve në Pallatin e Drejtësisë. Qe simbolikë e gjakut të grave të vrara. “Edhe sa gra të vrara?”, është ngjyrosur me të kuqe, për të mbetur gjurmë në secilën pjesë. Nuk kanë munguar as përdorimi i mjeteve piroteknike.

Image
Aksioni final ishte rikujtimi i grave të cilat munguan në marsh, e për të cilat u protestua. Ato nuk ishin prezente, pavarësisht raportimeve në organet e drejtësisë e sigurisë për dhunën që përjetonin. Mirëpo u kujtuan pikërisht përmes këpucëve të tyre, të cilat dukeshin ndryshe nga njëra-tjetra, pavarësisht që secila kishte ngjyrën e njëjtë – të kuqe

“Para institucioneve të drejtësisë thirrjet kryesore ishte ‘kundër vrasjeve të grave’. Në të gjitha është vendosur pyetja edhe sa gra të vrara, për shkak që ne nuk e dimë ende edhe sa gra duhet të vriten në Kosovë që institucionet të marrin hapat për t’i parandaluar vrasjet”, thotë aktivistja Mirishahe Syla.

Sipas saj, përdorimi i ngjyrës së kuqe ndërlidhet me faktin se “institucionet janë me gjakun e grave të vrara dhe si rikujtim që ato që po ndihmojnë”.

“Mesazhi kryesor i marshit të sivjetmë është thirrje për barazi gjinore, me të cilën kuptojmë mundësinë e jetesës së lirë dhe të sigurt të grave në Kosovë. Shumë prej tyre vriten nga burrat e të dhënat e fundit na kanë treguar se si vriten”, thotë e diplomuara e studimeve mbi gratë dhe gjininë në Universitetin “Northern Iowa” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Thirrjet në pankarta, këpucët me ngjyrë të kuqe... të gjitha janë simbolika që e sjellin vëmendjen te gjaku i grave të vrara nga burrat, me shtetin prapa tyre për shkak që shteti s’e ka kryer detyrën e tij”.

Për aktivisten e të drejtave të njeriut, Trina Binaku, ndërlidhja e lokacionit të Pallatit të Drejtësisë si pikë fillimi i marshit qëndron në faktin e “dështimit të mbrojtjes së grave”.

“Mesazhi i sivjetmë është të marshojmë, mos të festojmë, me një temë që është vrasja e grave. Jemi të vetëdijshme që kohëve të fundit femicidi veç sa po vjen në pah. Jemi duke u përballur me një shtet që po e legjitimon një akt të tillë”, thotë Binaku.

Sipas saj, për feministët agjenda më e rëndësishme është kundërvënia e patriarkatit, e që e cilëson si “të rrënjosur thellë në shoqëri”.

Por kërkesat e “Marshojmë s’festojmë” nuk u dëgjuan vetëm në kryeqytet. Ato u shtrinë edhe në Mitrovicë, Gjilan, Pejë, Vushtrri, Lipjan, Rahovec e Obiliq.

“Për neve edhe si kolektiv edhe si aktiviste që angazhohemi gjatë gjithë vitit, ky marsh është simbolikë e gjithë asaj pune që e bëjmë gjatë gjithë vitit, (sidomos) kur e shohim se është duke u zgjeruar edhe po decentralizohet nga Prishtina”, thotë Adelina Tërshani, e cila njihet si një nga figurat kryesore të Kolektivit në publik. “E kemi parë në komuna shumë të vogla siç është Obiliqi. Për neve do të thotë shumë, për shkak se edhe ato gra aktiviste që s’mund të vijnë në Prishtinë angazhohen dhe adresojnë problemet që i kanë ato si komunitet”.

E papaguara në punët e shtëpisë, përfaqësimi konstant

E drejta e punës ka qenë një nga fokuset e marshit ndër vite. Për organizatorët, gratë dhe vajzat nuk duhen paguar vetëm për orarin e punës, mirëpo edhe për punët të cilat i kryejnë në shtëpi.

“Kolektivi ka sjellë gjithmonë në vëmendje të drejtën e punës, të papaguarën në shtëpi, e cila ende është e pamatshme në buxhetet e shtetit nga institucionet, por që është punë”, thotë Vjollca Krasniqi.

Për të, kolektivi ka pasur qëllim ndërlidhjen e barazisë gjinore dhe qasjes interseksuale. Kështu duhet të jenë “këndvështrime të grave të ndryshme e jo vetëm prej një grupi të caktuar të grave, por të pozicionuara ndryshe, sidomos për ato që kanë më pak të drejta”.

Ndërkaq kur pyetet se çka s’ka arritur të ndryshohet ndër vite, ajo përmend raportin gjinor si përfaqësues në institucione.

“Nëse mendojmë çka mbetet konstantja, nëse shikojmë rreth institucioneve, edhe përkundër faktit që kemi më shumë gra në rrafshin e vendimmarrjes publike, norma mbetet gjinia mashkullore dhe konceptualizimi, racionaliteti rreth udhëheqjes së institucioneve”, përfundon Krasniqi.

Stop diskriminimit e racizmit

Kryestacioni i marshit u bë sheshi “Zahir Pajaziti”.

“Po përmbyset patriarkati, liria vjen”, u dëgjua edhe këtë vit. Kënga identifikuese e marshit “Behari i Lirisë” kumboi në zemër të Prishtinës.

Maratona e revoltës nga sheshi nisi të pozicionohej në lokacione të tjera. Marshuesit kalonin pranë NEWBORN-it për të arritur te Policia e Kosovës. Njësoj si pranë institucioneve të drejtësisë, edhe tek ai i sigurisë nuk munguan thirrjet dhe e kuqja e simbolikave protestuese. U hedh ngjyra e kuqe, thirrjet u shoqëruan me pankarta dhe u ngjyros: “Edhe sa gra të vrara?” në hyrje të institucionit.

Ishte pikërisht tarraca e objektit të Avokatit të Popullit, ajo e cila ua shtoi edhe më shumë entuziazmin marshuesve. Nga lart u lëshua pëlhura e gjatë e kuqe, e cila që nga fillimi është ngjyra identifikuese e marshit.

“Aktivitetet në përgjithësi kanë qenë në sens të simbolikes. Jemi të vetëdijshme që këto institucione pikërisht për ta mirëmbajtur veten duhet të jenë të dhunshme dhe ta shtypin identitetin më të papërfaqësuar – gratë e grupet e margjinalizuara”, shprehet Trina Binaku.

Përveç sensibilizimit me Ukrainën e pushtuar Rusia, në marsh nuk mungoi as mbështetja e komuniteteve. Një nga elementet ishte edhe përkrahja e grave e vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Diskriminimi që na bëhet neve si komunitete është i lartë, jo vetëm te gratë, po në përgjithësi. Por ne si aktivistë do të mundohemi që të parandalojmë të gjitha diskriminimet, e racizmin që u bëhet komuniteteve”, thotë Ardian Krasniqi, pjesëtar i komunitetit rom. “Stop racizmit” ka qenë e shkruar në pankartën që ai ka mbajtur në marsh. Përgjigjet prerazi kur pyetet se cili është qëllimi parësor i marshimit të tij: “Mos të diskriminohen gratë në rrugë për shkak të ngjyrës, për shkak që janë rome ose duke komunikuar në gjuhën e tyre”.

Për tri orë marshi i ngjau një mozaiku që sa më shumë që merrte trajtë nëpër lagje të Prishtinës, aq më i kompletuar duket. U bë më masiv në qendër, pranë sheshit “Skënderbeu”. Veçmas kur turma hyri në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

“Këpucët e kuqe” për njollën e zezë

Aksioni final ishte rikujtimi i grave të cilat munguan në marsh, e për të cilat u protestua. Ato nuk ishin prezente, pavarësisht raportimeve në organet e drejtësisë e sigurisë për dhunën që përjetonin. Mirëpo u kujtuan pikërisht përmes këpucëve të tyre, të cilat dukeshin ndryshe nga njëra-tjetra, pavarësisht që secila kishte ngjyrën e njëjtë – të kuqe.

Kjo nuk ishte e përbashkëta e vetme, por edhe mungesa e 48 pronareve për t’i veshur ato. Aq gra janë vrarë që prej vitit 2010.

Instalacioni “Këpucët e Kuqe” ishte veç një formë e revoltës ndaj institucioneve, e cila u vendos pikërisht përballë Qeverisë së Kosovës, duke dhënë mesazhin e drejtësisë për viktimat. Por, Prishtina nuk ishte destinacioni i vetëm në kujtim të viktimave. Edhe Korça, Tirana e Berati, Ditën e Gruas kishin vendosur që ta shënonin me po këtë instalacion.

“Sot me ne s’kanë qenë veç njerëzit fizikisht, por edhe këpucët e 48 grave të vrara që nga 2010 deri më tani që ne e morëm si simbolikë dhe e bëmë këtë instalacion që quhet ‘Këpucët e kuqe’. Iu bashkuam iniciativës së Korçës, Tiranës, Beratit dhe menduam që të kemi numrin e saktë të grave të vrara”, thotë Igballe Rogova nga RrGK-ja.

“Kriminelët pa një ferrë në këmbë”

“Janë me ne jo fizikisht por me zemrat tona. Kjo është arsyeja pse e kemi bërë këtë instilacion pranë Qeverisë, që t’ua kujtojmë që institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë më shumë, të dënohen rastet e dhunës”, thotë Rogova, ajo teksa shton thirrjen e saj: “Kriminelët po kalojnë pa një ferrë në këmbë. Nëse duam t’i ndalojmë këto, i ndalojmë vetëm me dënim”.

Reflektim nga institucionet thotë se pret edhe Adelina Tërshani.

“Dënimet meritore ndaj vrasëse të grave duhet të vihen para ligjit, përndryshe kemi për të pasur edhe shumë raste kur gratë as s’do motivohen më t’i raportojnë. Duhet të kemi parasysh që gratë të cilat po përfundojnë me fatalitet shumicën e herëve janë raste që janë të lajmëruara në institucionet e drejtësisë, por që s’e kanë gjetur përgjigjen serioze dhe të duhur”, thotë Tërshani.

Ndërkaq veprimi i përditshëm i organeve të drejtësisë, sipas Trina Binakut, e kanë bërë atë të mos ketë “pritje reale”.

“Presim që së paku të na e vënë veshin në kërkesat tona dhe të mos jenë pengues në këtë rezistencë, për shkak që ka edhe tendencë që aktivizmi feminist të policoret, ndalet e monitorohet”, përfundon ajo.

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.