Arbëri

Breznica: Institucionet po dështojnë në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se gratë dhe vajzat janë të rrezikuara vazhdimisht në hapësira publike e private nga sulmet e ngacmime seksuale si dhe dhunimet.

Në Interaktiv të KTV-së, të mërkurën, ajo tha se institucionet e Kosovës po çalojnë në mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale dhe procedimin e lëndëve.

“Ne e kemi pa që pavarësisht se sulmi është raportuar, lënda ka kaluar 10 vjet në sirtar. Ne shohim që vajzat e mitura gjithmonë janë më të rrezikuara në hapësira publike dhe private. Edhe brenda shtëpisë ndodhin lloj-lloj dhunime”.

Ajo ka thënë se numri i raportimeve të rasteve të dhunës seksuale është rritur, teksa përsëriti se institucionet nuk po bëjnë sa duhet në parandalimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

“Numri i raportimeve në polici është rritur, pasi gratë janë informuar më mirë për të drejtat e tyre. Shohim që kur ndodh një vepër penale gratë po trokasin në dyert e institucioneve por sa po reagojnë institucionet që ta rrisin më shumë raportimin, mbetet të shihet sepse kemi dënime qesharake. E shohim se si institucionet tona u japin zemër burrave patriarkalë tradicionalë dhe i fuqizojnë normat e shoqërisë sonë dhe i demotivojnë vajzat tona”.

Breznica theksoi se në institucionet e vendit ka mjaftueshëm zyrtarë që janë patriarkalë. Siç tha ajo, autoritetet po i kursejnë dhunuesit.

“Kemi raste ku prokurorët nuk i kanë klasifikuar si ngacmim seksual, por vetëm si ngacmim. Kjo ndodh me qëllim për shkak të zbutjes së dënimit. Kur prokuroria po e kursen dhunuesin, paramendoni sa ka me i kursy gjykata. Gjyqtarët duhet të kthjellen që dhunuesit duhet të dënohet dhe në asnjë moment nuk duhet të lihen të lirë”, tha Breznica.

Breznica shtoi se ka shumë më shumë raste të dhunës seksuale që nuk raportohen.

“Raste të ngacmimit seksuale, dhunimit, sulmit seksual e dhunës në familje ka shumë më shumë se që raportohen në polici, por gratë janë të kërcënuara me jetën e tyre dhe të kërcënuara me forma të ndryshme. Është tejet e vështirë kur i sheh vendimet që i merr gjykata dhe trajtimit që institucionet dinë t’ia bëjnë një viktime, me shku me trokitë në dyert e institucioneve për një rast që ka përjetuar”.

Sipas saj, institucionet duhet të punojnë më mirë në trajtim të rasteve dhe të respektojnë legjislacionin.

“Legjislacioni është i kompletuar por kur dalim në praktikë kemi çalime të shumta. Duhet të ndalemi te praktika e legjislacionit. Shohim si institucionet tona po dështojnë, po i zvarritin lëndët dhe kjo ndodh me qëllim që viktima të zmbrapset ose i akuzuari të lirojë Kosovën, apo të zhduken provat dhe të mbyllet lënda”, ka thënë Breznica.