Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: Kriminelët do të dënohen e grupet kriminale do të shkatërrohen

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, ndërsa ka thënë se grupet kriminale do të shkatërrohen.

Në sulmin në orët e hershme të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa janë lënduar dy policë tjerë. Po ashtu Policia ka njoftuar momentalisht për një sulmues të vrarë.

“Dënojmë sulmin terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës. Dorasit sigurisht se nuk mund të jenë tjetër përveçse kriminel të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim destabilizimin e vendit. Veprime të tilla për eskalim të situatës nuk do zmbrapsin organet e sigurisë për të kryer detyrën e tyre, dhe as nuk do të na bëjnë të ndryshojmë qëndrim në raport me Serbinë kur bëhet fjalë për interesat tona shtetërore. Siguria e qytetarëve, mbrojtja e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është obligim, detyrë mbi çdo detyrë tjetër, andaj dhe kriminelët do të dënohen dhe grupet kriminale do të shkatërrohen. Ngushëllime familjes së policit të vrarë, Rreshter Afrim Bunjaku, dhe shërim të shpejtë policit të plagosur”, ka njoftuar Maqedonci.