Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maloku: Zgjidhëm 335 raste të korrupsionit - Presidenca dështoi me mosdekretimin e kryeprokurorit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, ka thënë se për mosdekretimin e Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit, KPK-ja e ka bërë punën që e ka pasur përgjegjësi dhe se ka dështuar Zyra e Presidentes.

“Nuk mendoj se Këshilli ka dështuar, ka dështuar Zyra e Presidentes. Ne kemi edhe një opinion te Komisionit të Venecias, këshillat kanë rol përmbajtjesor, e roli i presidentit është formal, pra dekretimi...Shtyrja që ka bërë presidentja, është dështim i zyrës së saj, e ka mbajte më shumë se një vit e gjysmë pezull dekretimin”.

Maloku në konferencën e fundvitit, ka shtuar se Këshilli është përballur me sfida, por ka shënuar edhe rezultate për gjatë 12 muajve punë. Ai ka bërë të ditur se gjatë nëntë muajve nga 468 raste të korrupsionit të pranuara, kanë zgjidhur 335 raste, ose 72% të rasteve. Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 290 raste të pranuara janë zgjidhur 230 raste ose rreth 79% e rasteve të pranuara.

“Grupit Monitorues për Mbikëqyrjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike gjate këtij viti, ka realizuar disa herë vizita nëpër të gjitha prokuroritë e Kosovës, ka hartuar raporte me rekomandime bazuar në të gjeturat, të cilat janë trajtuar në takimet e Këshillit. Si rezultat i kësaj, sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujori të këtij viti, nga 468 raste të korrupsionit të pranuara ka zgjidhur 335 raste, respektivisht, ka zgjidhur 72% të rasteve të pranuara. Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 290 raste të pranuara janë zgjidhur 230 raste, respektivisht janë zgjidhur rreth 79% e rasteve të pranuara. Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet ne trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike”./ EO