Që nga 20 dhjetori i këtij viti, qytetarë e biznese të Malishevës po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike që zgjasin mbi 40 orë. Qytetarët e bizneset ankohen se kjo gjendje po u shkakton dëme të shumta atyre. Në KEDS thonë se ky problem nuk do të zgjidhet, pasi në këtë komunë kanë problem me kapacitetet e shpërndarjes. Qytetarët e Malishevës kanë paralajmëruar protestë për të martën.
Mërgimtari Ruzhdi Kryeziu nga fshati Mleqan, është bërë pishman që festat e fundvitit ka zgjedhur t’i kalojë në vendlindje.
Ndërprerjet e energjisë elektrike, që thotë se po zgjasin më orë të tëra, po ia rikujtojnë vitet e nëntëdhjeta.
“Sivjet është rryma sikur vitet nëntëdhjetë e nëntë, dy mijë, që u kanë dihet, u kanë kriza e luftës edhe ka problem për rrymë, njëjtën situatë kemi ardh sivjet. Me thënë të drejtën unë kam ardh me familje, do me thënë gruaja dhe dy fëmijë të vogël. Kanë pritu me ardh, si gruaja si fëmija për shkak të rrymës, nuk kemi rrymë. Por i kam thënë që s’ka reduktime për momentin, e si kemi ardh kemi ardh direkt në rduktim. Prapë i kom lanë pa rrymë jam detyru me ardh në Malishevë me dalë me ble agregat”, ka thënë një mërgimtar nga Zvicra, Ruzhdi Kryeziu.
Komuna e Malishevës tash e pesë ditë po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas qytetarëve e bizneseve të këtij qyteti, që nga 20 dhjetori i këtij viti kanë filluar ndërprerjet. Sipas tyre, ka pasur raste kur këto ndërprerje kanë zgjatur për 48 orë.
Edhe
Malisheva në terr, në pritje të nënstacionit që do të ndërtohet më 2027
“Te na po ndikon shumë, se tash është puna e sezonit, po dihet që puna e gurbetqarëve, na qeto ditë po i presim kur të vijnë gurbetqarët me ba pak lëvizje ma shumë, tamam po fillojnë me ardh po ndalohet, na ka dëmtu domethënë ka pak po”, ka thënë udhëheqësi i një lokali, Sejdi Bytyçi.
Por problemi me energji elektrike në këtë komunë nuk pritet të zgjidhet shpejt.
Lulzim Krasniqi, zyrtar për media në KEDS, ka thënë për KOHËN se problem me energji elektrike në Malishevë vazhdon të jetë pamjaftueshmëria e kapaciteteve të shpërndarjes.
Sipas tij, nevojitet ndërtimi i një nënstacioni nga ana e Transmisionit, e që thotë se kjo nuk është përgjegjësi e tyre.
“Për momentin Malisheva vazhdon të furnizohet nga nënstacioni i Rahovecit, kapacitetet e të cilit nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojën e konsumit. Pra, deri te ndërtimi i nënstacionit nga Transmisioni, Malisheva do të mbetet me kapacitete të mangëta të furnizimi”, ka thënë Krasniqi.
Edhe
Banorët e Malishevës ankohen për ndërprerje të rrymës deri në 11 orë
Nga kjo kompani kanë njoftuar gjatë javës se është rikthyer furnizimi me energji elektrike dhe që dëmet e shkaktuara nga Largpërçuesi 35 kV janë sanuar.
Sipas tyre, kjo linjë është dëmtuar, si pasojë e mbingarkesës në rrjet, për çka shumë përçues të rrymës elektrike kanë thënë se kanë rënë në tokë.
Por, qytetarët e Malishevës kanë paralajmëruar protestë për të martën.