Kryetari i Shoqatës së Malaziasve të Kosovës, Slobodan Vujiçiq, ka thënë se dhjetëra mijëra qytetarë që jetojnë, punojnë dhe votojnë në Kosovë, gjenden edhe në lista zgjedhore në Mal të Zi.
Në një komunikatë për media, Vujiçiq tha se gjendja e emrave në dy lista zgjedhore është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe Ligjin për zgjedhjen e deputetëve e këshilltarëve, ndërsa u ka bërë thirrje atyre që të mos votojnë në rundin e dytë të zgjedhjeve për president të Malit të Zi më 2 prill.
“Shembull, vetëm në komunat e Pejës dhe Istogut janë rreth 10 mijë njerëz që votojnë në Kosovë e në Mal të Zi. Me qëllimet më të mira apelojmë që të mos i nënshtrohen presioneve dhe të mos vijnë të votojnë në zgjedhjet për president të Malit të Zi më 2 prill, sepse kështu rrezikojnë të ndiqen si votues të dyfishtë dhe të humbin shtetësinë e Malit të Zi”, ka thënë Vujiçiq.