Arbëri

LVV-ja synon konsensus politik për reforma në drejtësi

Reformat në drejtësi, të cilat synohet të miratohen në Kuvend, sipas LVV-së, kërkojnë konsensus kombëtar. Për arritjen e konsensusit deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se është duke u angazhuar kryeministri e kryeparlamentari. Por deputetja e PDK-së, Blerta Deliu - Kodra, është shprehur se përgjegjësia për t’i kaluar projektligjet i takon shumicës pasi, siç tha ajo, ata nuk po ndihen përgjegjës të vijnë në seancë për të votuar as kur nismat ligjore sponsorizohen nga Qeveria

Një marrëveshje politike mes pushtetit e opozitës po konsiderohet e nevojshme për t’i çuar përpara çështjet e rëndësishme shtetërore, sidomos ato të fushës së drejtësisë. Disa seanca rresht të Kuvendit të Kosovës janë duke përfunduar pa vendimmarrje për shkak të mungesës së konsensusit politik për t’i kaluar projektligjet. Arritjen e këtij dakordimi politik, veçanërisht për reformat në drejtësi, po e synon partia në pushtet nëpërmjet një platforme. Për të deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se është duke u angazhuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Me këtë platformë, ka thënë ai, synohet konsensus kombëtar në mënyrë që spektri politik në Kosovë të jetë njëzëri për reformat e tilla. Por, në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit ku u diskutua për arritjen e këtij mirëkuptimi pushtet-opozitë, nuk u fol për ndonjë rezultat të arritur. Ky diskutim në kryesi erdhi pasi që në seancën e fundit asnjë nga pesë projektligjet për drejtësinë, edhe pse u shqyrtuan, nuk arritën të miratoheshin.

“Le t’u mbetet atyre ta deklarojnë. Ajo që unë e di është që fuqimisht zoti Kurti dhe zoti Konjufca janë duke bërë përpjekje maksimale që të krijojnë platforma dhe mekanizma që të koordinohen këto iniciativa”, ka thënë Muja në fjalën e tij pas mbledhjes së Kryesisë.

Seancat pa vendimmarrje së fundmi kanë dështuar për shkak të mungesës së numrave të pushtetit për t’i kaluar projektligjet dhe për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në votime, ani pse ishin të pranishëm në sallë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu - Kodra, u shpreh se përgjegjësia për t’i kaluar projektligjet i takon shumicës pasi, siç tha ajo, ata nuk po ndihen përgjegjës të vijnë në seancë për të votuar as kur nismat ligjore sponsorizohen nga Qeveria.

“Konsideroj që në radhë të parë do të duhej të ketë një prezencë të deputetëve të mazhorancës, sepse ju e keni parë që në shumicën e seancave plenare kjo shumicë parlamentare po dështon t’i votojë projektligjet që vijnë nga Qeveria. Kemi parë numër të vogël të deputetëve, një pjesë e tyre janë edhe në udhëtime zyrtare. Në radhë të parë shumica parlamentare duhet të jetë aty”, ka thënë ajo.

Në mbledhje të Kryesisë gjithashtu është caktuar që për të enjten e ardhshme të vazhdohet një seancë me pikat e papërfunduara të seancave të kaluara dhe të mbahet edhe një seancë e re plenare. Në vazhdimin e seancës si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, i cili po kundërshtohet nga opozita. Ky projektligj me ndryshimet që janë bërë në dy shqyrtimet në komisione do t’i përfshijë për deklarim të pasurisë edhe mjekët e profesorët. Por, opozita po kërkon edhe një lexim të tretë në mënyrë që të largohen këto dy kategori të cilat, sipas tyre, po konsiderohen se nuk i ekspozohen korrupsionit. Në mbledhjen e Kryesisë janë dakorduar që grupet parlamentare kërkesën e opozitës për trajtim të tretë të projektligjit ta shqyrtojnë në seancë në mënyrë që të vendoset kthimi i tij ose jo në komision.

“Kërkuam që të ketë një lexim të tretë në mënyrë që të adresohet kërkesa e Partisë Demokratike e Kosovës që këto dy kategori, të cilat nuk janë të ekspozuara ndaj korrupsionit të largohen, sepse janë edhe barrë e madhe për Agjencinë Kundër Korrupsionit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Në seancën e re plenare do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e traktit mbi ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, si dhe shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë.