Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LVV-ja: Presim vendimin e Kushtetueses për konstituimin dhe do e shqyrtojmë me kujdes juridikisht

Vetevendosje logo

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar në lidhje me nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale të dërguar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. 

Zyra për media e LVV-së ka thënë se fillimisht do e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit duke pasur parasysh se kjo kërkesë, me të cilën kontestohet ky proces, nuk është tërhequr.

Tutje thuhet se propozimi i PDK-së do të shqyrtohet me kujdes juridikisht në mënyrë që të mos ketë ndonjë pasojë të mundshme, veçanërisht kur aktgjykimi ndaj katërshes së UÇK-së do të procedohet në shkallën e Apelit.

Përgjigjja e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje: 

1. Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij.

2. Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara. Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast.

3. Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike. Çdo veprim duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar me kujdes pasojat e tij të mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën në shkallë të dytë, përkatësisht procedurën e apelit. Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim.

Edhe Konstituimi i Kuvendit përfundon në Kushtetuese Arbëri Konstituimi i Kuvendit përfundon në Kushtetuese

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, gjatë ditës njoftoi se kanë proceduar në Kuvend nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, me anë të së cilës po synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe gjithashtu monitorimi ndërkombëtar i punës së saj.

Hamza ka thënë se meqë Specialja u krijua për të adresuar pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, në Hagë duhet të gjykohen akuzat që kanë të bëjnë me trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa rastet që kanë të bëjnë me krime të luftës të barten në Kosovë.

Këtë nismë e ka mbështetur Aleanca.