Arbëri

LVV-ja do të garojë me kryetarët aktualë, LDK-ja me Ismajlin në Gjilan, PDK-ja nuk përmend emra

Partitë politike kanë intensifikuar përpjekjet për caktimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, ndonëse presidentja nuk i ka shpallur ende zgjedhjet. Vetëvendosja është përcaktuar që në komunat ku e ka pushtetin lokal t’i futet garës me të njëjtit emra, LDK-ja e ka bërë të ditur vetëm kandidatin për kryetar të Gjilanit, ashtu si edhe PSD-ja për Deçanin, ndërsa PDK-ja ka thënë se aktualisht është duke realizuar konsultimet me degët dhe strukturat tjera të partisë

Pa u bërë një vit nga zgjedhjet e përgjithshme, subjektet politike do t’i futen garës zgjedhore për nivelin lokal. 

Në Presidencë nuk treguan nëse presidentja Vjosa Osmani ka ndërmarrë veprime në funksion të konsultimit për caktimin e datës, por bazuar në afatet ligjore, zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale do të mbahen në fundvit.  

E disa prej partive politike kanë filluar të shpallin kandidaturat për kryetarë të komunave.

LDK-ja ka publikuar kandidaturën e parë. Në garë për Gjilanin nuk do të jetë Lutfi Haziri, që ka udhëhequr në disa mandate me këtë komunë, por Arbër Ismajli. 

“Ky është një besim që më obligon dhe më motivon për punë e përkushtim të pakompromis. Gjilani ka nevojë për bashkim, për vizion të qartë dhe për energji të reja që sjellin ndryshim”, ka shkruar Ismajli, të enjten mbrëma.

Në LDK nuk treguan për kandidaturat e tjera dhe as nuk konfirmuan nëse do të rikandidojnë kryetarët aktualë.

E Vetëvendosja është përcaktuar që në komunat ku qeveris, kryetarët aktualë të garojnë edhe për një mandat. Kësisoj, Ismajli i LDK-së do të përballet me kryetarin aktual të Gjilanit, Alban Hyseni.

Kjo parti, të premten ka shpallur kandidaturën e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e një ditë më parë edhe të atij të Kamenicës, Kadri Rrahimaj.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, bëri të ditur se njëjtë do të veprohet edhe me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, atë të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e të Leposaviqit, Lulzim Hetemi. 

“Kryetarët që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dëshmuar qeverisje të mirë, të drejtë dhe të pakorruptuar. Përveçse është e udhës, është e nevojshme që të vazhdohet mirëqeverisja në këto komuna. Këtë fazë të caktimit të kandidatëve e kemi nisur fillimisht nga komunat ku qeverisim, për të vazhduar tutje ditëve në vijim në secilën komunë. Synimi i LVV-së është që qeverisja e mirë në qendër të ketë në krah edhe qeverisjet e mira lokale, në mënyrë që vendi ynë të transformohet dhe të kalojë në një nivel tjetër të zhvillimit e mirëqenies”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Manxhuka.

Për caktimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, përgatitjet thanë se i kanë nisur edhe në PDK.

Në këtë subjekt thanë se do të zgjidhen kandidatët më të mirë të mundshëm. 

“Ky proces është duke u zhvilluar në mënyrë të kujdesshme dhe në pajtim me statutin e partisë, me qëllim që të përzgjidhen kandidatët më të mirë të mundshëm - figura me integritet, përvojë dhe vizion për zhvillimin e komunave. Emrat do të bëhen publikë në kohën e duhur, pasi të përfundojnë konsultimet me degët dhe strukturat tona. Për kandidatët e rinj: Natyrisht, do të ketë edhe kandidatë të rinj në garë – individë që vijnë nga profile të ndryshme profesionale dhe që përfaqësojnë gjenerata dhe energji të reja. PDK është gjithmonë në kërkim të fuqizimit të ofertës së saj politike me figura të reja, të përgatitura dhe të përkushtuara”, thuhet në përgjigjen e PDK-së.

Nga zgjedhjet lokale në PDK thanë se synojnë që të dalin fitues në shumicën e komunave të Kosovës. 

“Objektivi ynë është i qartë – të ofrojmë qeverisje të mirë, transparente dhe të orientuar drejt qytetarit në çdo komunë. Raportet më të fundit vendore dhe ndërkombëtare për qeverisjen lokale i kanë radhitur komunat që udhëhiqen nga kryetarët e PDK-së në krye për transparencë, menaxhim financiar dhe ofrim të shërbimeve efikase për qytetarët. Kjo është dëshmi e modelit tonë të qeverisjes dhe bazë solide për fitoren tonë të radhës”, thuhet në përgjigjen e PDK-së.

E, në AAK dhe Nisma nuk treguan për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Ndërkaq, krahas partive që janë pjesë e Kuvendit, garës lokale do t’i rreken edhe subjekte sikur është PSD-ja. Kjo parti ka shpallur kandidaturën e Natyra Kuçit për kryetare të Deçanit. 

Sipas ligjit për zgjedhjet lokale, ato nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë 30 ditë pas përfundimit të mandatit. 

Për caktimin e mbajtjes së tyre, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të mbajë konsultime me partitë politike. Në bazë të ligjit, vendimi i presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të bëhet jo më vonë se 4 muaj e jo më herët se 6 muaj, para datës së zgjedhjeve.