Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushtaku-Sadriu, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë votimi i nënkryetarëve të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Lushaku-Sadriu tha se seanca u ndërpre pasi, sipas saj, kryetarja e Kuvendit imponoi një mënyrë votimi që nuk ishte në përputhje me procedurën.
Ajo tha se LDK-ja kishte kërkuar respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Punës dhe praktikës parlamentare.
“U imponua nga kryetari një votim dhe një kalim për votimin e nënkryetarëve duke kaluar dhe duke prishur procedurën. Në fakt, ne kërkuam që të respektohet procedura në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të Rregullores së Punës edhe praktikës parlamentare. Tri grupet më të mëdha parlamentare u takon nga një nënkryetar dhe me radhë duhet të votohen. Kishte një tendencë që të kalohej nga një grup tek tjetri, prandaj ne s’u dakorduam që të ketë një kalim të tillë, për aq kohë sa nuk ka propozim edhe nga grupi i dytë parlamentar”, deklaroi Lushtaku.
Sipas saj, situata e krijuar është edhe rezultat i mungesës së konsensusit politik nga Lëvizja Vetëvendosje për mënyrën e votimit të nënkryetarëve.
“Kjo vjen edhe si rezultat i mosgatishmërisë së Vetëvendosjes për të bërë një konsensus në kuptimin e gjetjes së një modaliteti të votimit në pako, edhe si rezultat i imponimit të një votimi të tillë ne erdhëm tek kjo situatë. Kjo në fakt flet shumë për gatishmërinë, për vullnetin politik të vetë grupit më të madh, i cili tenton që grupeve të tjera t’u imponojë kandidatët. Kjo është rezultati përfundimtar. Është një ushtrim shumë i pështirë, shumë elementar i demokracisë, të cilën Vetëvendosja s’mundet me e tejkaluar veten. Por në emër të konstituimit të institucioneve, është dashur që kësaj here të bëjë një tejkalim të vullnetit politik dhe t’u njohë të drejtën grupeve parlamentare për të propozuar të zgjedhurit e tyre”, tha deputetja e LDK-së.
Lushaku-Sadriu theksoi se LDK-ja, sipas saj, ia ka njohur Vetëvendosjes të drejtën për të propozuar kandidaten e saj për nënkryetare, duke përmendur Arbërie Nagavcin.
“Ne si LDK ua njohëm Vetëvendosjes që Arbërie Nagavcin ta ketë nënkryetare, por kjo nuk u zbatua nga ata për kandidatët e tjerë dhe, si rrjedhojë, nuk jemi të konstituuar. Kjo është vërtet për keqardhje”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e ardhshme, Lushaku tha se çështja tash lidhet me vullnetin politik për të tejkaluar situatën, por nënvizoi se procedura tashmë është shkelur.
“Tani po, kemi krizë të vullnetit politik për të tejkaluar edhe do të shohim me radhë se si do të shkojë, por procedura është thyer dhe kjo është e pakthyeshme”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Ajo mohoi se pjesëmarrja e LDK-së në seancat e ardhshme lidhet me pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen e PDK-së, duke thënë se çështja kryesore është respektimi i procedurës parlamentare.
“Faktikisht hiç nuk është e rëndësishme se cili grup edhe qysh e ka emrin. Procedura e Kuvendit të Kosovës flet për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat me radhë duhet t’i prezantojnë nënkryetarët edhe tash nuk ka kurrfarë lidhje. Ne e kemi bërë votimin e kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar, domethënë e bëmë se ua njohëm të drejtën e propozimit. S’ka lidhje, LDK-ja i ka qëndrimet e veta dhe parimet bazë për të cilat beson që pushteti duhet me u mbështet për me pasur demokraci. Është shumë elementare, është parim shumë elementar, po ja që grupi më i madh nuk po e njeh”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu u pyet edhe nëse LDK-ja do ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ajo tha se çështjet e tilla mund të kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese.
“Absolutisht, të gjitha këto janë subjekte edhe që kërkojnë interpretime ligjore dhe kushtetuese, absolutisht”, tha Lushtaku.
Ndërsa, e pyetur nëse LDK-ja do ta ndërmarrë konkretisht një hap të tillë, ajo tha se partia e saj do të jetë në ballë të kërkesës për interpretime kushtetuese, duke argumentuar se ka paqartësi lidhur me procedurën.
“Ne do të jemi në ballë të kërkesës për interpretime kushtetuese për aq kohë sa ka kaq shumë paqartësi. Me thënë të drejtën, këto procedura janë shumica të sqaruara në shumë vendime, edhe me Kushtetutë, edhe janë në praktika parlamentare“, tha tutje ajo.