Arbëri

Lokacioni për qentë endacakë përplas Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës

Hapësira prej 10 hektarësh në fshatin Slivovë ishte paraparë nga Komuna e Prishtinës si lokacioni i duhur për ndërtimin e strehimores së qenve endacakë.

Mirëpo vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk e ka miratuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në dokumentin e dërguar nga kjo ministri për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, thuhet se vendimi i Komunës është hartuar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.

Kjo ka ngjallur edhe reagime të pozitës së Komunës së Prishtinës.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka akuzuar Ministrinë që udhëhiqet nga Liburn Aliu se po i pengon në procesin e zgjidhjes së problemit të qenve endacakë.

“Përderisa ne po punojmë të gjejmë një zgjidhje afatgjate, për një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve të Prishtinës, atë të qenve endacakë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, jo vetëm që nuk po ndihmon asgjë në këtë drejtim, përkundrazi është duke na penguar në këtë proces”, ka thënë Zogaj.

Por Vetëvendosje në nivel lokal akuzat i ka kthyer drejt pushtetit të LDK-së në Prishtinë.

“Do të vazhdojnë problemet me qentë endacakë. Për shkak të mungesës së profesionalizmit, padijes, dhe punëve shkel e shko të Komunës së Prishtinës, MMPHI e ka shpallur të jashtëligjshëm Vendimin për ndarjen e parcelës për trajtimin e qenve endacakë. Seanca e radhës ku do të trajtohet ky problem është ftuar në fund të muajit, një muaj e gjysmë nga seanca e kaluar”, është shprehur asamblisti i VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Planifikimit Hapësinor thotë se vendimit të tyre është munduar t’i jepet një kah politik.

“Pavarësisht qëllimeve tendencioze që kësaj çështjeje t’i jepet një kah tjetër, MMPHI me qëllim të mbrojtjes së jetës së njeriut, por edhe të kafshëve dhe zgjidhjes se kësaj çështjeje, ju sigurojmë se do të trajtojmë me prioritet duke e vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të përmirësuar nga Komuna sipas rekomandimeve të dhëna nga MMPHI. MMPHI, përkatësisht Departamenti Ligjor, do të japim ekspertizën tonë profesionale nëse është e nevojshme dhe nëse kërkohet nga Komuna, por në asnjë mënyrë, pavarësisht dëshirës që të gjejmë zgjidhje rreth kësaj çështjeje, nuk do të japim një rekomandim, i cili bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet nga MMPHI.

Sipas tyre, ky vendim është kërkuar të rishqyrtohet pasi është hartuar në kundërshtim me dokumentet e planifikimit hapësinor.

“Nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor, pjesën tekstuale dhe grafike në fuqi sipas Ligjit Nr.04/L-174 Për Planifikimin Hapësinor. Edhe pse në vendimin e Komunës nuk është specifikuar lloji i strehimit se si do të bëhet përmes rrethojës, ndërtimit të ndonjë objekti apo specifika të tjera të nevojshme për kategorizim është sugjeruar që të merret parasysh se destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor nuk lejohet”, thuhet nga Ministria.

Ministria e Planifikimit Hapësinor ka kërkuar nga Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Prishtinës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e Komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi brenda 30 ditësh.