Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, ka kërkuar nga Enver Hoxhaj që të mos kandidojë për pozitën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Lladrovci që është pjesë e PDK-së, ka thënë se “beteja për kandidatura, për kohën dhe momentin tejet të ndjeshëm kur dy liderët tanë janë padrejtësisht në Hagë, nuk i bëjnë mirë as PDK-së, as kandidaturave”.
Dy ditë para konventës së PDK-së, Lladrovci ka thënë se pasi që Memli Krasniqi e ka publikuar kandidaturën i pari, “dalja juaj me kandidaturën e dytë, nuk mendoj se i sjell as unitet, as plotësim të pritjeve dhe mesazheve të anëtarësisë së gjerë, madje as qëllimit të liderëve tanë që kanë dëshmuar altruizëm dhe vetë sakrifikim për qëllime më madhore”.
“Motivi i kësaj letre, jo vetëm që është tepër miqësor dhe i sinqertë, por, e konsideroj edhe si vijim i rrugës së përkushtimit të përbashkët, në funksion të unitetit, harmonisë, sepse, gara në këtë kohë, nuk është e shëndetshme. Këtë garë do ta quaja luks të tepruar dhe të gabueshëm, andaj, edhe konsideroj se vetëm kandidatura e z. Krasniqi do t’i plotësonte të pathënat e ditura, për PDK të fortë, unike dhe të qëndrueshme. PDK ishte dhe mbetet boshti kurrizor i shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, gardiane e vlerave euro-atlantike dhe proceseve me interes nacional, sot e nesër. Ta bëjmë PDK-në më të fortë, edhe ju e keni këtë në dorë, miku im, Enver, ashtu siç e ka edhe z. Memli Krasniqi”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Kohë më parë, dega e PDK-së në Drenas propozoi emrin e Driton Ajazit kandidat për të parin e kësaj komune në zgjedhjet e vjeshtës. Ndërkaq Lladrovci ka marrë përkrahjen e qendrës.
PDK-ja është pa kryetar që kur Kadri Veseli u ftua nga Gjykata Speciale në Hagë vitin e shkuar.
Edhe
Hamza: Askush s’e ka përjashtuar Lladrovcin
Enver Hoxhaj ushtori detyrën e kryetarit deri pak javë më parë, kur u caktua 3 korriku si datë për të mbajtur konventën e partisë.
Kandidaturën për të parin e PDK-së tashmë e ka shpallur Memli Krasniqi.