Arbëri

Shtyhet për të dielën zgjedhja e presidentit

E shtuna e 3 prillit do të jetë dita e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Vjosa Osmani është pretenduesja që do të testohet para deputetëve në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet në mbrëmje. Të gjitha zhvillimet lidhur me seancën mund t’i gjeni më poshtë:

Seanca për presidentin vazhdon të dielën

23:09 - Është ndërprerë seanca për presidentin. Ajo do të vazhdojë të dielën me fillim prej orës 17:00, ka konfirmuar kryeparlamentari Glauk Konjufca pas kthimit nga pauza.


Kuvendi shkon në pauzë

21:36 - Kuvendi ka shkuar në pauzë prej 30 minutash pasi në dy herët e para të votimit në kuadër të rundit të parë nuk kishte kuorum për votimin e presidentit.


Mbyllet përsëritja e rundit të parë – s’ka kuorum

21:32 - Është konstatuar i mbyllur rundi i parë i votimit për president. Në votim kanë marrë pjesë 79 deputetë, një më pak se kuorumi i kërkuar.


Veliu, Hoti e Selmanaj s’votojnë për president në rundin e parë

20:45 - Tre deputetët e LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, nuk kanë marrë pjesë në votim në rundin e parë.


Nis votimi për president

20:41 - Ka nisur procesi i votimit për president të Kosovës. Tashmë është krijuar komisioni për organizim të votimit.

Tani deputetët do të votojnë një na një.

Hoxhaj: Seancë e poshtërimit – Kurit po dëshiron kontroll absolut

20:29 - Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se seanca për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente është seancë poshtërimi.

Sipas tij, kjo për shkak se ajo po zgjidhet presidente nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

“Në këtë seancë e shohim si seancë të poshtërimit, sepse Kurti ka vendosur ta emërojë Osmanin si presidente. Ajo s’po zgjidhet si presidente, po emërohet nga Kurti dhe ai po e dërgon atje që të ketë kontroll absolut mbi institucionet e pavarura”, ka thënë Hoxhaj.


Osmani e Bejta plotësojnë kushtet për president – hapet rruga për votim

20:14 - Komisioni për Legjislacion ka konstatuar se kandidatët i plotësojnë kushtet e parapara për t’u zgjedhur president, andaj mund të procedohet me votim.


Kuvendi në pauzë – do të verifikohen kushtet e kandidatëve për president

20:00 - Me shumicë është autorizuar që të marrë punën Komisioni për Legjislacion për verifikimin e kushteve të kandidatëve të nominuar për president.

Kuvendi ka shkuar në pauzë prej 15 minutash.

Si kandidatë janë prezantuar Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.


82 deputetë në seancën për zgjedhjen e presidentit

19:52 - Në sallë në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës janë të pranishëm 82 deputetë.


Edhe Agim Veliu në seancën e Kuvendit

19:42 - Edhe deputeti i shumëpërfolur, Agim Veliu, ka shkuar në sallën e Kuvendit për të votuar për presidentin.


Deputetët e LDK-së në sallë, mungon Veliu

19:35 - Shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë hyrë në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës. Nga ky grup vërehet veç mungesa e deputetit Agim Veliu.


Nis mbledhja e deputetëve

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të mblidhen në sallën e seancave parlamentare për votimin e presidentit.


Pak lëvizje të deputetëve në Kuvend, s’dihet kur do të nisë seanca

19:09 - Pak deputetë të Kuvendit të Kosovës janë parë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, një orë pasi veçse është paraparë të nisë seanca për zgjedhjen e presidentit.

Asnjë nga ta megjithatë nuk është duke qëndruar në sallë.

Disa prej tyre i kanë thënë KOHËS se seanca “do të nisë shumë shpejt”.


AAK-ja përfundimisht s’merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit

18:53 - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përsëritur qëndrimin se s’do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, në Facebook, ka thënë se kjo parti është kundër që pushteti të koncentrohet te një person apo parti politike.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka dhënë me kohë qëndrimet rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit. Ne jemi kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit. Shembull për këtë ishte tentimi i mbrëmshëm për marrjen e vendimit ad-hoc për ndryshim të ligjit zgjedhor, duke e kontrabanduar në Kuvend, me arrogancë numrash e shantazhe. Andaj, deputetët e Aleancës, nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit për votimin e Presidentit”, ka thënë Haradinaj.


Nagavci: Nuk e dimë nëse i kemi të gjitha votat e LDK-së për presidentin

18:34- Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njëherit zyrtare e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka deklaruar që sot pritet të bëhet votimi i Vjosa Osmanit si presidente e vendit, mirëpo nuk e dinë nëse janë të gjitha votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo ka deklaruar para mediave se vendit i duhen institucione të konsoliduara, duke shtuar se deputetët janë të vetëdijshëm për zgjedhjet e shpeshta.

“Vendit i nevojiten institucione të konsoliduara. Deputetët nga secila parti janë të vetëdijshme për zgjedhjet e shpeshta dhe pandeminë. Vendin në zgjedhje e dërgon mosvotimi i presidentit”, ka deklaruar ajo


Amerika bën thirrje që deputetët ta mundësojnë zgjedhjen e presidentit

17:55 - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se deputetët e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ta mundësojnë zgjedhjen e presidentit.

Përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ambasada e SHBA-së në Kosovë ka përsëritur qëndrimin se kërkon nga Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri.


VV-ja i bindet LDK-së, tërheq kërkesën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje

17:40 - Vetëvendosje është tërhequr nga kërkesa e saj për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje për t’i hapur rrugë prezencës së deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të bërë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

Ky veprim vjen pas ultimatumit që LDK-ja i kishte vënë VV-së në mënyrë që të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Osmanit presidente.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari. Ajo ka thënë se tërheqja është bërë siç ka kërkuar LDK-ja.


Kurti: Të zgjedhim Osmanin presidente, pastaj me opozitën punojmë për reformën zgjedhore

16:36 - Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje opozitës që të votohet për Vjosa Osmanin për presidente, duke thënë se menjëherë pas kësaj do të punojë bashkë me ta për të përmbyllur reformën zgjedhore.

Me fillim prej orës 18:00 pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit. Ky proces është komplikuar pasi Vetëvendosje s’i ka të sigurta numrat dhe se LDK-ja u shpreh se s’do t’ia bëjë kuorumin nëse Vetëvendosje e Kurti s’tërhiqen nga ndryshimet për Ligjin për Zgjedhje, të iniciuar të premten. Tentativa e VV-së që ndryshimet të kryhen shpejt, të premten dështoi pasi s’u siguruan votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm.

Të shtunën, Qeveria u shpreh se është tërhequr nga përpjekja që të vazhdojë si e vetme ndryshimet duke thënë se do të bashkëpunojë me opozitën pasi që të zgjidhet Osmani presidente.

“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë. Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona. Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”, ka shkruar Kurti në Facebook, dy orë para mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit.


VV-ja kërkon garanci nga LDK-ja për presidentin që të tërheqë ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje

16:09 - Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka konfirmuar se i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës garanci për votat për presidentin në mënyrë që të tërhiqen ndryshimet e propozuara nga Ligji për Zgjedhje.

“Unë kam kërkuar nga Arben Gashi se a mund ai të konfirmojë se LDK-ja do të jetë në seancë për të votuar për presidenten e Republikës së Kosovës gjë të cilën ai refuzoi ta thotë në mbledhjen e Kryesisë”, ka thënë Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë në të cilën u caktua që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet me fillim prej orës 18:00.


Zyrtare: Seanca për presidentin mbahet në orën 18:00

15:56 - Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se në Kryesinë e Kuvendit është vendosur që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet me fillim prej orës 18:00.


Tahiri: Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, faturën e mban Kurti

15:53 - Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, faturën duhet ta mbajë kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të propozohen kandidatë të tjerë për president që përfaqësojnë unitet.

“Ne u kërkuam sot që t’i tërheqin këto dy kandidatura, jemi në afatet kushtetuese. Mund ta zgjedhim edhe nesër, pasnesër e javën që vjen. Kemi kërkuar të gjejmë një figurë, të propozojnë një figurë që i jep stabilitet vendit, një figurë që nuk do ishte përçarëse por që përfaqëson unitetin e qytetarëve. Ky vullnet nuk ekziston. Ky vullnet i mazhorancës duket se nuk ekziston prandaj faturën siç duket që do na çoj vendin në zgjedhje e bart pikërisht arroganca e kësaj mazhorance dhe Albin Kurti. Nëse sot shkojmë në zgjedhje, shkojmë si rezultat i një lëvizje të prodhuar nga Albin Kurti, jo nga Albin Kurti që ishte rrëzuar gjatë pandemisë por nga pozita më e lartë shtetërore”, tha ai para mediave.


AAK-ja kërkon tërheqjen e ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje

15:47 - Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka thënë se ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit tërheqjen e ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë në konferencë për media se për ndryshime në këtë ligj duhet të ketë konsulta me të gjitha partitë në vend.

“Patëm kërkesa për tërheqjen e Ligjit për Zgjedhje. Ajo që shihet dhe që është pa mbrëmë është se ka ndodhur një operacion i natës që ka vënë në lajthitje jo vetëm Kuvendin, por edhe qytetarët e Kosovës për shkak se të gjithë prisnin që të niset përpara me atë për presidentin e më pas doli që më prioritet është amendamentimi i një ligji zgjedhor që është baza e demokracisë në vend. Për këtë temë kërkuam nga kryetari i Kuvendit që të ndërtojë proces të konsultimit politik me partitë parlamentare, joparlamentare, me shoqërinë civile e akterët ndërkombëtarë për të bërë reformën”, ka thënë ai pas mbledhjes ku pritej të vendosej për seancën për zgjedhjen e presidentit.

“Si AAK jemi dhe qëndrojmë të palëkundur që t’ia japim të gjitha të drejtat e votimit dhe për të qenë të zgjedhur diasporës. Duhet të bëjmë edhe analizë për manipulime të mundshme nga Serbia. Populli ka folur. VV-ja ka fituar zgjedhjet. Zoti Kurti është në detyrë. Në seancën e parë ia kemi dhënë dy mesazhe. Respektoje besimin që të ka dhënë populli. S’është fjalim i bukur as kritikë, por përgjegjësi e duhet ta ushtrosh atë”, ka përfunduar Tahiri.


Rohde: Të gjithë deputetët të marrin pjesë në votimin e presidentit

15:40 - Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörg Rohde, ka thënë se bojkotimi i proceseve demokratike nuk është rruga që e çon Kosovën përpara.

Ai ka thënë në llogarinë e tij në twitter se e rëndësishme është që të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancën për votimin e presidentit.

“Deklaratë e rëndësishme nga ushtruesi i detyrës së presidentit Glauk Konjufca. E rëndësishme është që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votimin e presidentit. Duke bojkotuar proceset demokratike nuk është rruga që na çon përpara”, ka shkruar Rohde.


Komplikohet edhe një herë çështja e zgjedhjes së presidentit

15:28 - Është komplikuar edhe një herë çështja e zgjedhjes së presidentit. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit pa u bërë tërheqja procedurale e propozimeve për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje.

Në një konferencë për media, pas mbajtjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti ende s’kanë tërhequr projektligjin për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje dhe se situata për çështjen e presidentit mbetet e njëjta si ajo të premten pas dështimit që këto ndryshime të kalojnë me procedurë të shpejtë.

“Kemi një situatë të tentimit të përmbytjes së rendit kushtetues në Kosovë. Një shumicë parlamentare tenton në mënyrë arbitrare të ndryshojë rregullat në procesin zgjedhore. Ne jemi pro që ambasadave dhe konsullatave të Kosovës t’u mundësohet organizimi i zgjedhjeve dhe ata që janë me vendbanim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë vendit, të votojnë. Por nuk jemi që në mënyrë arbitrare dhe në ora 9 të natës të caktohet që ditën e nesërme të mblidhen të gjitha komisionet dhe të kryhet Projektligji për Zgjedhje. Duhet automatikisht të tërhiqet ky Projektligj dhe të jepet garancion që do të kemi reformë zgjedhore substanciale. Ne si LDK presim që të tërhiqet ai projektligj, të kemi reformë substanciale sepse nuk ka emergjencë. Ai ligj nuk ndikon tek zgjedhjet lokale. Nëse dëshirojmë të ndryshojmë rregullat në zgjedhjet e përgjithshme ato duhet të ndryshohen të paktën një vit para se të mbahen zgjedhjet. Ne duam garanci që kjo do të ndalojë. Ne nuk do të marrim pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Nuk e dimë se kur do të mbahet, atë e vendos kryetari i Kryesisë”, ka thënë Gashi.

Pa votat e LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.


Seanca për presidentin në orën 18:00

14:35 - Seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentit pritet të mbahet me fillim prej orës 18:00, ka mësuar KOHA.

Mbledhja e Kryesisë për caktimin e seancës për zgjedhjen e presidentit do të mbahet me fillim prej orës 15:00.


Abbott: Mbrojtja e demokracisë nënkupton edhe pjesëmarrjen në zgjedhjen e presidentit

14:12 - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar lidhur me seancën që pritet të mbahet për zgjedhjen e presidentit duke thënë se deputetët mund të votojnë si të dëshirojnë, mirëpo ata duhet të përmbushin rolin e tyre kushtetues me votë.

Abbott ka thënë se nëse kjo ndodh, procesi i formimit të institucioneve do të përfundojë dhe se ato mund të fillojnë punën.

“Mbrëmë pamë shumë deputetë duke folur në mbrojtje të demokracisë dhe institucioneve demokratike të Kosovës. Mendimi im është se të mbrosh demokracinë e Kosovës dhe institucionet nënkupton edhe të marrësh pjesë në zgjedhjen e presidentit. Deputetët mund të votojnë si të dëshirojnë. Por akti përgjegjës është që ata të përmbushin rolin e tyre kushtetues duke mbështetur procesin demokratik përmes pjesëmarrjes dhe votës së tyre”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të mbahet sot në orët e mbrëmjes ndërkohë që Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në ora 14:30 për të vendosur lidhur me seancën.

Seanca do të mbahet pas tërheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje i cili mbrëmë nuk u miratua në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.


Haziri konfirmon që LDK-ja do të marrë pjesë në votimin për Osmanin presidente

13:12 - Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar për KOHËN se do të votojnë për presidentin, pas tërheqjes së ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK-ja kishte vendosur ditë më parë në Kryesi të partisë që të marrë pjesë në seancën për votim të Vjosa Osmanit për presidente. Ua kishte lënë në duar deputetëve të vendosin për këtë çështje dhe menjëherë u shtuan pikëpyetjet se disa nga deputetët s’do të përfillin qëndrimin e partisë dhe s’do të marrin pjesë në seancë për t’ia bërë kuorumin Osmanit.

Të premten, VV-ja dhe Qeveria Kurti iniciuan ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje. Pasi kjo iniciativë dështoi që të vazhdonte në procedurë të përshpejtuar, nga LDK-ja kërkuan që të tërhiqet ky ligj përndryshe s’do të marrin pjesë në votim. Të shtunën në mesditë pas një takimi të kryeparlamentarit Glauk Konjufca me kryeministrin dhe pretenduesen për presidente, u vendos që për të vazhduar tutje me këto ndryshime të ketë bashkëpunim me opozitën e iu kërkua opozitës qëndrimi në sallë për të shmangur zgjedhjet e reja.

Vetëvendosje si e vetme ka 58 vota. Duke përllogaritur edhe disa vota të minoriteteve pakicë jo serbe, për ta zgjedhur Osmanin i duhen patjetër edhe votat e LDK-së në mënyrë që të arrihet kuorumi i obligueshëm prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit. Në dy rundet e votimit për presidentin kërkohet përkrahja e 2/3 e deputetëve, ndërsa në rundin e tretë kërkohen minimalisht 61 vota por me kushtin që në votim të marrin pjesë së paku 80 deputetë.


Seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet sot

12:23 - Burime të KOHËS kanë njoftuar se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet sot, e shtunë.

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në orën 14:30.

Pretenduese për presidente është Vjosa Osmani. Vetëvendosje nuk i ka të sigurta votat për të, pasi nuk i ka të garantuara 80 vota në Kuvend për t’ia mundësuar kuorumin zgjedhjes së presidentit. LDK-ja ka deklaruar se do të marrë pjesë në votim, por te grupi i saj parlamentar ka pikëpyetje nëse disa deputetë do të respektojnë vendimin e kryesisë së partisë. Në seancën për votim të presidentit, kundërkandidat i Osmanit do të jetë Nasuf Bejta, që ka thënë se po kandidon vetëm për t’i ndihmuar procesit.