Arbëri

Lista Serbe paralajmëron bojkotimin e votimit për shkarkim të kryetarëve në veri

Lista Serbe

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka thënë se qëndrim i saj është të mos dilet në votimin e 21 prillit për shkarkim të kryetarëve të katër komunave veriore  në Kosovë.

Në një konferencë  për media të dielën, kryetari i kësaj partie, Zlatan Elek, tha se kryeministri Albin Kurti ka bërë gjithçka që referendumi, siç e ka quajtur ai, të mos ketë sukses.

Elek u shpreh se qëndrimi i partisë është edhe vullnet i serbëve, që përbëjnë shumicën në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq.

Ai numëroi disa arsye pse duhet të bojkotohet ky proces.

"Ndoshta dalim kot në referendum dhe keqtrajtojmë qytetarët që janë keqtrajtuar mjaftueshëm nga represioni i regjimit në Prishtinë. Dhe lind pyetja - a është referendumi sipas Kushtetutës. Një dallëndyshe nuk e bën pranverën. Me ardhjen e katër kryetarëve tanë, asamblistët shqiptarë do të qëndrojnë deri në fund të mandatit të tyre. Për këtë ua kemi  tërhequr vërejtjen ambasadorëve të huaj”, tha Elek. 

I pari i Listës Serbe kundërshtoi edhe votimin nën vrojtimin e kamerave të sigurisë. Sipas tij, nuk ka askund në botë që të votohet nën vëzhgim.

Ai është ankuar edhe për numrin e votuesve, që janë vërtetuar sipas Komisionit Qendror Zgjedhor. 
Elek u shpreh se numri i dhënë nuk përkon me realitetin në terren.

“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësues të QUINT-it dhe  me ambasadorë të tjerë, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk përkojnë me gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve nga veriu i Kosovës janë shpërngulur. Për fat të keq nuk kemi hasur në mirëkuptim. Ka pasur shumë mundësi për largimin e kryetarëve të komunave, siç është shkarkimi i tyre”, tha Elek. 

Sipas Udhëzimit Administrativ, për shkarkim të kryetarëve në komuna duhet vota e 50 për qind të trupës elektorale, plus një votë.

Serbët dhe partitë serbe bojkotuan zgjedhjet komunale në katër komunat veriore më 23 prill 2023. 
Pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat kryesore komunale, serbët shkaktuan trazira të mëdha në veri.

Pas kësaj, doli si kërkesë mbajtja e zgjedhjeve të reja. Për këtë u desh një udhëzim administrativ, në bazë të të cilit edhe u iniciua peticioni për shkarkim të kryetarëve. 

Faza e radhës është votimi për shkarkim, që është caktuar më 21 prill. 

E nëse votohet pro shkarkimit, atëherë caktohen zgjedhjet e reja për kryetarë në këto katër komuna.