Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Lista Serbe bojkoton votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti, sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut. Ishte pikërisht Lista Serbe e cila në mesin e tetorit të vitit 2023 deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhje pa vendosur asnjë kusht. Votimi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri është caktuar për 21 prill

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar të dielën se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti (kryeministri i Kosovës), sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, të dielën në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai tha se janë vendosur procedura të parealizueshme për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve, sipas tij, nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren. Ai më tej tha se numri i shqiptarëve në listat e votuesve "është rritur".

“Për dy muaj në të gjitha komunat numri i votuesve është rritur në mënyrë disproporcionale, për 433 për qind”, tha kryetari i Listës Serbe.

Elek nuk dha asnjë dëshmi për pretendimet e tij për rritjen enorme të listave të votuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t'i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se popullata vendëse serbe nuk i ka pranuar kryetarët shqiptarë.

Sipas Udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Kjo parti kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.

Mirëpo në mesin e tetorit të vitit 2023 ajo deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët. (REL)