Pas vitesh tensionesh, bojkotesh dhe përplasjesh që e kthyen veriun e Kosovës në epiqendër krizash të vazhdueshme, konstituimi i autoriteteve lokale në katër komunat veriore pas zgjedhjeve të tetorit u zhvillua në përputhje me rendin kushtetues të vendit. Por, për njohës të zhvillimeve politike, rikthimi i Listës Serbe në pushtetin lokal shënon më shumë ripozicionim të kontrolluar nga Beogradi zyrtar sesa integrim i sinqertë në institucionet e Kosovës. Kjo ka rikthyer dilemat për përfaqësimin real të komunitetit serb dhe për ciklin e vjetër të bojkotit dhe shantazhit politik që e ka karakterizuar këtë parti për më shumë se një dekadë
Për herë të parë pas vitesh krizash të vazhdueshme, procedurat e inaugurimit të autoriteteve të reja lokale në veriun e banuar kryesisht me serbë u zhvilluan pa drama politike, duke dëshmuar se rendi kushtetues i Kosovës funksionon edhe aty ku për vite me radhë është sfiduar hapur.
Konstituimi i kryetarëve dhe anëtarëve të kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kaloi pa incidente, pa tensione dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Por, normaliteti procedural nuk e zbeh thelbin politik të këtij rikthimi. Njohës të zhvillimeve politike thonë se Lista Serbe që rimori pushtetin në këto komuna, është kthyer në pushtet jo si shprehje e një integrimi të ri, por si rezultat i një lëvizjeje të kalkuluar strategjikisht nga Beogradi.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka funksionuar si instrument politik i Beogradit zyrtar në Kosovë, duke kaluar nga përfshirja formale në institucione, te tërheqja e koordinuar, bojkoti dhe rikthimet selektive, gjithmonë në përputhje me interesat e qeverisë serbe dhe jo me nevojat e komunitetit serb në Kosovë.
Pas zgjedhjeve të fundit lokale, Lista Serbe rifitoi pushtetin në katër komunat me shumicë serbe, duke i dhënë fund periudhës dyvjeçare e gjysmë kur këto komuna u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në procese elektorale që u bojkotuan nga komuniteti serb.
Veriu funksionoi institucionalisht pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, zhvillim ky i shoqëruar edhe me shtrirje të autoritetit të shtetit dhe zbehje të ndikimit të strukturave paralele.
Gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim me qeverinë qendrore, komunat veriore kanë mbyllur një sërë strukturash paralele të Serbisë, kanë ndalur përdorimin e dinarit dhe kanë integruar shërbimet bankare, postare dhe administrative.
Presidenti i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, thotë se ky rikthim mund të prodhojë një “stabilitet të kufizuar”, por nuk përfaqëson një zgjidhje afatgjatë për krizën e përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë.
“Situata është kthyer aty ku ishte para krizës së sigurisë dhe para ngjarjeve të Banjskës. Kemi një normalitet të ri: serbët fituan komunat e tyre, por shumë prej tyre janë nën presion, veçanërisht komunat që lidhen me Asociacionin. Një nga arsyet kryesore të rikthimit është presioni ndërkombëtar mbi Vuçiqin. Në Serbi, një pjesë e opinionit e konsideron tradhtar, sepse i tërhoqi serbët nga institucionet e Kosovës dhe i shtyu drejt bojkotit”, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, Lista Serbe nuk posedon politikë të pavarur dhe as burime reale jashtë mbështetjes së Beogradit.
“Për sa kohë që ajo është nën kontroll të plotë nga Beogradi, nuk mund të jetë partnere serioze për dialog dhe as për ndërtimin e statusit të ardhshëm të komunitetit serb në Kosovë”, ka theksuar ai.
Dy periudha
Aktiviteti i partive politike të serbëve të Kosovës ndahet në dy periudha kryesore. E para, nga viti 2000 deri në vitin 2013, kurse e dyta që ka filluar nga viti 2013, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe që vazhdon ende.
Periudha e parë u karakterizua kryesisht nga refuzimi politikë i serbëve përmes përfaqësuesve të tyre politikë, për t’u integruar në institucionet e Kosovës. Ngjarjet e marsit 2004, shënuan fundin e pjesëmarrjes së partive politike serbe në jetën institucionale të Kosovës, me gjithë përpjekjet e ndërkombëtarëve që t’i përfshijnë ata.
Kjo çoi në bojkot të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004 dhe 2007. Aktiviteti i partive serbe në Kosovë diktohej edhe nga zhvillimet në Beograd, ku gjatë kësaj periudhe kishte përçarje politike në bashkëqeverisjen mes Boris Tadiqit dhe Vojisllav Koshtunicës.
E politika e serbëve të veriut të Kosovës në këtë periudhë u zhvillua përmes strukturave paralele.
Një parti e ndërtuar mbi varësi
Lista Serbe u krijua në vitin 2013 pas Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës e Serbisë, e cila synonte shpërbërjen e strukturave paralele serbe dhe integrimin e tyre në sistemin kosovar. Themelimi i kësaj partie ishte parakusht që serbët të merrnin pjesë për herë të parë në zgjedhjet që do t’i organizonte Kosova në katër komunat e veriut, më 3 nëntor 2013.
Që nga fillimi, ajo u ndërtua si monopol politik i serbëve të Kosovës, edhe u mbështet financiarisht dhe politikisht nga Beogradi. Në zgjedhjet e para lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës në nëntor 2013, Lista Serbe mori pjesë vetëm pas thirrjeve publike të qeverisë serbe dhe fitoi shumicën e komunave ku serbët dominojnë.
Ajo në vazhdimësi ka refuzuar të sillet si subjekt politik autonom. Betimi me simbolet e Kosovës, zbatimi i ligjeve shtetërore dhe pranimi i sovranitetit institucional shiheshin më shumë si koncesione të përkohshme sesa si obligime kushtetuese. Vendimmarrja lokale është diktuar shpesh nga direktivat e Beogradit, duke e kthyer pushtetin komunal në instrument politik të jashtëm.
Në zgjedhjet lokale të viteve 2013 dhe 2017, si dhe në tri cikle zgjedhore parlamentare, Lista Serbe e konsolidoi këtë dominim përmes presioneve sistematike. Partitë e tjera serbe u shkrinë, u margjinalizuan ose u eliminuan përmes shantazheve politike dhe ekonomike.
Kryetari i parë i Listës Serbe ishte Aleksandar Jabllanoviq, aktualisht kryetar i Partisë Serbe të Kosovës dhe kundërshtar i subjektit që dikur i takonte. Jabllanoviq ishte shkarkuar nga posti i kryetarit në fund të vitit 2015. Pas tij, partia u drejtua nga Slavko Simiq deri në mes të vitit 2017.
Kjo parti ka kaluar edhe periudha përçarjesh të brendshme. Më seriozja ndodhi gjatë udhëheqjes së Simiqit kur përplasjet e brendshme për dominimin mes deputetëve nga jugu dhe veriu gati sa nuk e ndanë partinë. Megjithatë, ndarja nuk ndodhi në atë kohë dhe u vendos pothuajse një dominim absolut i të ashtuquajturave struktura veriore.
Në vitin 2013, pati presione ndaj votuesve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Por edhe në çdo cikël pasues zgjedhor, misione vendore e ndërkombëtare kanë evidentuar presione të Listës Serbe ndaj qytetarëve për të votuar për një subjekt të vetëm politik.
Po atë vit ndodhën disa incidente serioze, ku përfshihet edhe thyerja e kutive të votimit në ditën e zgjedhjeve dhe vrasja e njërit prej tre kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut, në mes të fushatës zgjedhore, Dimitrije Janiçijeviq. Në të njëjtën fushatë, nën akuzat për krime lufte nga autoritetet e Kosovës u arrestua kandidati tjetër, Oliver Ivanoviq. Ai kaloi tre vjet e gjysmë në burg dhe u vra më pak se një vit pasi u lirua me kusht, për të cilin krim një nga të dyshuarit kryesor është Milan Radoiçiq, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, post që e la pasi mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Bojkoti si mjet presioni
Pas përfshirjes në institucione, Lista Serbe mori pjesë në të gjitha proceset zgjedhore deri më 2022, kur filloi një periudhë përshkallëzimi politik. Ajo kulmoi në nëntor 2022, kur përfaqësuesit serbë u tërhoqën masivisht nga institucionet e Kosovës – nga qeveria, policia dhe gjyqësori, duke e shndërruar bojkotin në armë politike. Vendimi u justifikua me çështjen e targave, por në thelb shërbeu për ta destabilizuar rendin institucional në veri.
Kulmi i kësaj politike tensioni ishte sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, i udhëhequr nga Radoiçiq. Sulmi, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, e ekspozoi lidhjen e rrezikshme mes politikës, strukturave ilegale dhe dhunës së organizuar.
Shkaku i këtij zhvillimi, para tri palë zgjedhjeve të sivjetme, ka pasur përpjekje për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në garë këtij subjekti politik. Në zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në fillimvit, në ato lokale të vjeshtës, si dhe para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar këtë parti dhe kandidatët e saj, meqë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër, ndërsa të tjerët kanë abstenuar, përjashtimisht anëtarit të Listës Serbe dhe kryesuesit të KQZ-së që kanë votuar për certifikim. Vendimet gjithherë janë apeluar dhe janë fituar nga Lista Serbe pas apelimit në Panelin Zgjedhor për Ankesa.
Pas zgjedhjeve të shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 vendet për serbët në Kuvend, ndërkaq në zgjedhjet lokale fitoi në raundin e parë 9 prej 10 komunave me shumicë serbe. Fitoi edhe në kllokot ku shkoi në balotazh, pasi para zgjedhjeve kundërkandidati në garë aderoi në Listën Serbe.
Dushan Janjiq vlerëson se, pavarësisht rikthimit në pushtet, Lista Serbe sot është politikisht e konsumuar.
Ata janë aktorë në margjina. Nuk kanë më as fuqi, as ndikim, as kredibilitet. Kjo është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë komunitetin serb”, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, fati i Listës Serbe është i lidhur drejtpërdrejt me qëndrimin në pushtet të Aleksandër Vuçiqit. Ai shfaq shpresën që pasi presidenti aktual serb ta humbë pushtetin, edhe të ketë pluralizëm politik edhe mes serbëve të Kosovës, një potencial që ekziston, por që është shtypur për vite me radhë.