Inspektorati i Komunës së Prizrenit të enjten ka realizuar aksionin për lirimin e pronave komunale në të cilat janë të vendosura zyrat e disa prej partive politike që përfaqësohen në Kuvendin e Komunës. Tek këto prona, zyrtarët komunalë, gjatë aksionit i kanë ndërruar kyçet dhe çelësat e dyerve.
Drejtuesit e Inspektoratit kanë bërë të ditur se gjithçka ka shkuar sipas planit të veprimit dhe se nuk ka pasur rezistencë nga subjektet politike, me ç`rast vullnetarisht janë dorëzuar çelësat e dyerve të këtyre lokaleve.
Në anën tjetër udhëheqësit e degës së PDK-së kanë bërë të ditur se në këtë rast e respektojnë legjislacionin në fuqi. Por, sipas tyre sjellja e Ekzekutivit komunal lidhur me këtë çështje ka qenë e papërgjegjshme, e cila si pasojë ka sjellë largimin e të gjitha partive politike nga zyrat në kohë pandemie, si tentim për të shuar zërin opozitar.
Ndërsa krerët e degës së LDK-së kanë pohuar se mbyllja e tillë e zyrës së këtij subjekti politik nuk është ndjenjë e mirë, dhe njëherësh këtë veprim e kanë cilësuar si presion e shantazh për pamundësimin e aktivitetit partiak e politik dhe atë në kohë pandemie dhe në periudhën kur fillojnë përgatitjet për zgjedhjet komunale. Megjithëkëtë ata kanë theksuar se do t’i respektojnë vendimet dhe ligjin, dhe se do të kërkojnë zgjidhje institucionale për këtë çështje.
Edhe kuvendarë nga radhët e AAK-së kanë theksuar se këtë vendim të Ekzekutivit të Prizrenit do ta kundërshtojnë në organet e drejtësisë.
Javën e shkuar, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, pat theksuar se procedura për largimin e partive politike nga pronat komunale është kërkesë ligjore, dhe se Komuna e Prizrenit po e zbaton Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.
{gallery}