Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka ftuar qytetarët që të analizojnë mirë nëntë muajt pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe të ndëshkojnë ata që ishin përgjegjës për moskrijimin e institucioneve. Ai ka thënë se partia e tij do të jetë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme qoftë me koalicion, qoftë vetëm. Shtoi se do të analizojnë mirë në çfarë drejtimi do të shkojë Nisma.
Pas takimit me presidenten, Limaj ka thënë se data ideale për zgjedhje është 21 dhjetori.
Ai përsëriti se janë përpjekur për të gjetur zgjidhje.
“Po përfundon cikli nëntëmujor. Është lajm i keq për Kosovën. Këto forca politike kanë dëshmuar se nuk kanë pjekuri politike. Kjo që ka ndodh sot tregon paaftësi, papjekuri dhe panjohuri si ndërtohet shteti. Shpresoj që qytetarët në zgjedhjet e ardhshme do t’u kërkojnë llogari përgjegjësve për moskrijimin e institucioneve. Kosova e humbi një vit. Është momenti t’i kthehemi qytetarëve”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Nismës u shpreh se është koha për një lidership ndryshe, të pjekur dhe një alternativë që ndërton institucionet.