Udhëheqës nga e gjithë Evropa janë mbledhur sot në Jerevan për edicionin e tetë të Komunitetit Politik Evropian, një forum që bashkon rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish për të diskutuar sfidat kryesore të kontinentit. Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri Edi Rama.
Zyrtarisht, takimi do të fokusohet në çështje si qëndrueshmëria demokratike, kërcënimet hibride dhe siguria ekonomike. Megjithatë, vëmendja pritet të përqendrohet edhe te diskutimet joformale, sidomos në lidhje me zhvillimet gjeopolitike dhe sigurinë energjetike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPresidenti rumun Nicușor Dan ka theksuar se prioritet i tij do të jetë diskutimi për sigurinë energjetike, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk ka nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve euro-amerikane, duke i cilësuar ato si të pazëvendësueshme.
Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të jetë një tjetër temë kyçe, duke marrë parasysh edhe pozicionin gjeografik të Armenia, që ndan kufi me Iranin. Diskutimet do të përfshijnë gjithashtu rolin e presidentit amerikan Donald Trump dhe ndikimin e politikave të tij në Evropë.
Samiti shënon edhe një moment të veçantë me pjesëmarrjen e kryeministrit kanadez Mark Carney, duke qenë hera e parë që një lider jo-evropian i bashkohet këtij formati.
Takimi bashkëkryesohet nga presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global. /ksp
Kurti në Jerevan takohet edhe me Rutten e Zelenskyn
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kurti në një postim në Facebook ka thënë se ka marrë pjesë në dy panele: "European Coalition Against Drugs" dhe "Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats" dhe ka pasur shumë takime me liderë shtetesh.
“Pata kënaqësinë të takoj e bisedoj me miq si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Kaja Kallas, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, Princi Albert II i Monakos, e po ashtu liderë shtetesh me të cilat synojmë të lidhim marrëdhënie diplomatike si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër”, ka shkruar Kurti. “Njohja e Republikës së Kosovës, e cila është e rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”.
Kurti takohet me Kallasin, kërkon që Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Jerevan të Armenisë me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Në këtë drejtim, Kryeministri në detyrë Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë. Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu në takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet nga Kryeministria.
Kurti takon Plenkoviqin, theksohet nevoja për forcim të aleancave dhe koordinim politik
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim, u theksuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, siç thuhet, të ndërtuara mbi partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë”, thuhet në njoftim.
Kurti thuhet se ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, siç thuhet, veçanërisht në proceset e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Kurti është takuar edhe me kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo.
“Gjatë takimit u veçua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si një model i avancuar i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model ky që ka miratuar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Në përmbyllje, të dy kryeministrat riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, është njoftuar nga Zyra e Kryeministrit.
Rama: Një Bashkim Evropian që s’është i plotë, është më i dobët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para nisjes së Samitit të tetë të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Armeni, ka thënë se një Bashkim Evropian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe cenueshëm.
Samitin, e ka quajtur mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta.
“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Evropian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Evropës. Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën evropiane. Një Bashkim Evropian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Evropian i cili është i plotë”, ka thënë ai. /Tch