Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lexues në kafene

Tavolinat e kafe-librarisë “Dit’ e Nat’” në Prishtinë rëndom janë të mbushura me laptopë e libra. Muzika e lehtë jazz, që dëgjohet në sfond të hapësirës së mbuluar me rafte të drunjta, veçse e bën më të përshtatshëm leximin apo punën aty.

“Dit’ e Nat’” është njëra prej disa kafeneve të kryeqytetit, që për motiv kanë librin. Trendi i fundit i leximit në hapësira alternative i ka bërë këto vende atraktive për shumë njerëz, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Dit’ e Nat’” është e para e këtij lloji, mirëpo së voni janë hapur edhe një varg të tilla në qendër e periferi të qytetit. Ajo ishte hapur më 2009, ndërsa në fondin e saj ka mbi një mijë tituj të librave nga të gjitha zhanret.

“Ne jemi platformë kulturore në dashuri me muzikën, letërsinë dhe filmin”, është përshkrimi i saj në faqen zyrtare. Valdrin Osmani është menaxher në këtë kafene. Ai thotë se ka interesim të madh nga të gjitha moshat. Tregon se vizitorët mund t’i marrin librat për lexim brenda hapësirës së kafenesë, por edhe mund t’i blejnë ato.

“E frekuentojnë goxha shumë, si për libra, ashtu edhe për punë. Ka edhe shumë studentë që vijnë. Librat munden me i marrë edhe me i ble, mirëpo shumicën e kohës i lexojnë përderisa pinë kafe”, rrëfen ai. Krahas shfrytëzimit të tyre, Valdrini thotë se librat edhe tërheqin vëmendjen e atyre që vizitojnë kafenenë. Të shumtë janë ata që ngrihen dhe shfletojnë librat në raftet përreth.

“Mua më tërheq ambienti dhe shpesh i marr me i lexu. Zakonisht kur ulem me pi kafe, e marr një libër dhe e shfletoj”, shton ai... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)