Në ditën e pestë të Javës së Bibliotekës në Kosovë”, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur edhe dyert e anës së padukshme të saj: prej Zyrës së pranimit, te laboratori i restaurimit të librit dhe koleksionet e veçanta e deri te Qendra e Digjitalizimit. Aty kryhen punë që kërkojnë përkushtim të madh dhe kujdes të shtuar, duke qenë se shumica e punonjësve të divizioneve përballen përditë me brishtësinë e materialeve të vjetra
Krejt procesi, prej pranimit të një materiali e deri te digjitalizimi, është përshkruar të premten gjatë sesionit të punëtorisë dhe vizitave në shërbimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Është kjo ngjarja e radhës në kuadër të “Javës së Bibliotekës” në Prishtinë. Duke filluar prej vizitës së organizuar në zyrën e pranimit, vizitorët kanë pasur mundësi të njihen me shërbimet që ofron çdo sektor për përdoruesit, duke parë nga afër çdo proces që nuk ngjan shpesh të jetë i qasshëm për vizitorët e jashtëm.
Janë punë që kryhen brenda katër mureve, punë që kërkojnë përkushtim të madh dhe kujdes të shtuar, duke qenë se shumica e punonjësve të divizioneve përballen përditë me brishtësinë e materialeve të vjetra.
Hapi i parë te Zyra e pranimit
Zyra e pranimit është e para me të cilën kontakton një libër që futet në bibliotekë. Aty është treguar procesi që nga çasti i dorëzimit e deri te regjistrimi dhe sistemimi fillestar i materialeve. Divizioni i Shërbimit me Përdorues ka ofruar mundësinë që vizitorët, të cilët janë edhe përdorues të materialeve bibliotekare, të njihen nga afër me shërbimet që ofron ky sektor, duke përfshirë orientimin në kërkime, qasjen në katalogë dhe burime digjitale, si dhe ndihmën profesionale në gjetjen e materialeve. Prej aty, Divizioni i Katalogimit ka prezantuar procesin e katalogimit. Aty, përfaqësuesit kanë shpjeguar rëndësinë dhe mënyrën e katalogimit të materialeve bibliotekare, përmes sistemeve bashkëkohore që sigurojnë organizim dhe qasje efikase në fondin e Bibliotekës.

Arti në laboratorin e restaurimit
Laboratori i restaurimit ka shfaqur teknikat profesionale të ruajtjes, konservimit dhe restaurimit të materialeve të dëmtuara të bibliotekës. Prej grumbullimit të materialit për faqosje, te qepja e faqeve nëse janë me blej, ngjitja e tyre me ngjitës në të kundërtën, libërlidhja ka rol kyç në ruajtjen e materialeve që janë në gjendje të keqe. Në këtë mënyrë, sigurohet rritja e numrit të kopjeve të disponueshme: librat që janë jashtë qarkullimit ose të vjetër mund të riprodhohen përmes këtij procesi, duke krijuar kopje të reja që mund t’u vijnë ndoresh përdoruesve, duke përmirësuar kështu qasjen në informacion.
Kërkohet një lloj zanati për ta bërë gjithë këtë. Zyrtari për libërlidhje në Bibliotekën Kombëtare, Valdet Hoti, që këtë punë e bën me përkushtim, ka treguar se nevojitet pasion për ta bërë këtë punë, më shumë sesa mund. E sheh si art punën e restaurimit të librit.
“Mendoj se duhet të kesh një pasion, se ky është një lloj zanati dhe kur e do, atëherë i arrin të gjitha pa telashe. Vështirësitë nuk i shoh se e ndiej veten si një lloj artisti, kur e marr një libër, më duket se e kam krijuar vetë pastaj. Restaurimi i librit në mënyrën më të përsosur që mund ta bësh është me mjete ‘primitive’, nuk ka nevojë për një teknologji, sepse në restaurim duhen hollësirat. Të gjitha janë mjete dore dhe s’mund të bëhet me një makinë”, ka treguar ai, teksa e kalonte një brushë të hollë ngjyer me ngjitës sipër fletëve të shkoqura të një numri të gazetës “Rilindja”.

Materialet bibliotekare si librat, gazetat, revistat, dorëshkrimet dhe materialet e tjera që janë botime më të vjetra se 1945-a i restauron punonjësja tjetër e Bibliotekës, Blerta Krasniqi. Ka treguar se prej pranimit të materialeve, përcaktohet nevoja për restaurim, bëhet inventarizimi i materialit, fotografimi para restaurimit, si dëshmi që janë bërë intervenime aty, pastrimi i pluhurit me materiale klasike, punë që bëhet e tëra me dorë, për të mos e dëmtuar materialin, duke qenë se janë të vjetra dhe të brishta. Pastaj vjen neutralizimi, restaurimi i fletëve që merr më së shumti kohë bashkë me qepjen e fletëve me penj pambuku dhe me gjilpëra të posaçme. Procesi i fundit aty është restaurimi i kopertinave.
“Restaurimi i kopertinave është një punë më delikate sesa punët e tjera që bëhen në libër, sepse ajo është pasqyrë e punës ndoshta njëmujore që është bërë me 500 faqe restaurim. Këtu hasen pak vështirësi me materialet, sepse duhet të përshtatet me origjinalin e fletës. Restaurimi bëhet me letra japoneze dhe ngjyra e trashësia e letrës mund të mos qëllojë e përshtatshme dhe duhet të përshtaten që të mos humbë asnjë pjesë e materialit”, ka treguar ajo.
Materiali i restauruar prapë fotografohet. Për deacidifikim në banjat ujore, Krasniqi ka treguar se ka raste që përdoret tjetër material, një tretësirë që përdoret për raste të veçanta, raste më të ndjeshme si dorëshkrime e vula ku mund të fshihet ngjyra. Në rastet kur librat janë pranuar pa kopertinë, forma e struktura e saj hamendësohet përmes krahasimeve të librave të asaj periudhe që kanë kopertina.
Eksplorimi i koleksioneve të rralla
Vizitorët kanë pasur rastin të eksplorojnë nga afër edhe koleksionet e rralla dhe unike të Bibliotekës Kombëtare, përfshirë dorëshkrime, botime të rralla, koleksione fotografike, arkiva personale dhe materiale me vlerë kulturore e historike që janë ofruar në kuadër të Divizionit të Koleksioneve të Veçanta. Prej tyre, Biblioteka Muzikore ka ofruar mundësinë që të pranishmit, përmes dëgjimit dhe eksplorimit të materialeve muzikore të njoftohen me fondin që ekspozohet në zyrën e kësaj biblioteke.

Biblioteka muzikore është pjesë e departamentit të koleksioneve të veçanta. Ka një koleksion të pasur në fushën e muzikës, që përbëhet prej librave, partiturave, CD-ve, DVD-ve, pllakave të gramafonit, shiritave të magnetofonit. Ofron gati 20 mijë njësi bibliotekare të formateve të ndryshme. Mes tyre gjendet opera e parë shqiptare “Mrika” e Prenkë Jakovës, botuar në Tiranë më 1977, krah librave e partiturave të kompozitorëve të tjerë. Edona Munishi-Kokollari që punon prej vitit 2003 në bibliotekë ka treguar se këto materiale janë goxha pak në krahasim me bibliotekat evropiane të muzikës.
“Prej vitit 2008, përmes një projekti është realizuar krijimi i Bibliotekës Muzikore. Te pjesa e muzikës ka pak materiale, edhe këtu, edhe në Shqipëri, nuk ka sikurse në bibliotekat e Vjenës ose të Frankfurtit. Ka edhe kompozitorë që kanë dorëshkrime por që nuk duan t’i dorëzojnë në bibliotekë. Pjesa e ISMN-së është shumë e realizueshme, vazhdon puna me botues. Të gjitha librave të muzikës u vihet një numër i ISMN-së që e identifikon veprën e botuar”, ka treguar Munishi-Kokollari, e cila është edhe përfaqësuese e ISMN-së për Kosovë.
Një milion materiale të digjitalizuara
Për digjitalizim nuk janë ende në radhë materialet që nuk janë libra. CD-të e të tjerat nuk janë të digjitalizuara, por zyrtarët aty janë optimistë që kjo do të ndodhë së shpejti.
Digjitalizimi është krejt një qendër e veçantë në Bibliotekën Kombëtare. Në të është shpjeguar procesi i digjitalizimit, qysh nga përzgjedhja e materialeve, skanimi dhe përpunimi teknik, e deri te publikimi dhe ofrimi i qasjes në platformën digjitale. Me t’u përzgjedhur libri për digjitalizim, pastrohet dhe shikohet, shkon në pajisjen automatike për skanim, pastaj bëhet procesi i editimit me afro shtatë hapa, ku drejtohen shkronjat, drejtohen fletët, gazetat ndahen datë për datë. Është edhe e qasshme me makinë kërkimi, duke krijuar kështu efektivitet për publikun. Procesi i fundit aty është krijimi i metadatave dhe qitja në platformën digjitale.
Eronida Ismajli, zyrtare në qendrën e digjitalizimit në BKK, ka treguar se qysh nga viti 2019, digjitalizimi ka qenë ndër ndarjet kryesore të Bibliotekës. Ka numëruar mbi 1 milion materiale të digjitalizuara.
“Digjitalizimi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka filluar në vitin 2019, por që para një viti, prej kur edhe është lansuar platforma e bibliotekës digjitale e ka marrë një hov pak më të madh dhe jemi pajisur me disa pajisje që janë më të avancuarat në rajon për momentin, por që këtë punë e bëjmë pa gjërat elementare që e mbrojnë shëndetin tonë. Për momentin janë mbi 1 milion objekte të digjitalizuara. Janë afro 100 mijë që janë të vendosura në platformë, e kemi digjitalizuar ‘Rilindjen’ prej 1945 deri më 1989, përjashto disa muaj që veç nuk janë këtu, e që do të barten. Kemi nisur edhe me fondet e koleksioneve të veçanta”, ka thënë ajo, duke shpjeguar vështirësinë me këtë proces.
Kujdes të shtuar ka thënë se duhet të kihet kur skanohen librat e vjetër. Ndonëse pajisjet janë krijuar që t’u qasen ashtu siç duhet, disa librave duhet t’u ulet vakumi, të rregullohet presioni gjatë skanimit dhe sipas saj, ka libra që mund të marrin dy ditë kohë për t’u digjitalizuar. Përveç punës së makinerisë, ka dyfish më shumë punë në divizion për punëtorët, rol të madh ka dora e njeriut, që një libër të mos dëmtohet e të dalë për përdorim sa më shpejt, në mënyrë që ky proces të jetë efektiv për përdorim.
“Duke e pasur parasysh që kemi të bëjmë me librin, e dimë që ka libra që me vite nuk janë shfletuar dhe kushtet sikurse në krejt Kosovën, nuk i kemi prej më të mirave, por me të gjitha këto improvizime ia dalim të punojmë. Sot në punëtori kemi pasur shumë vizitorë dhe qendra e digjitalizimit është paraparë si një qendër që i vë në funksion komplet divizionet e tjera në bibliotekën digjitale. Digjitalizimi, përveç që e bën një punë të madhe për veten dhe publikun, është edhe një mekanizëm që i vë në funksion të gjitha divizionet”, ka shtuar Ismajli.
Sesioni për vizitat dhe punëtoritë në shërbimet e Bibliotekës Kombëtare ka treguar produktivitet në njohjen e procesit të punës që bëhet brenda bibliotekës. Blerina Mulliqi, zyrtare në Bibliotekë, ka thënë se interesimi për t’i parë këto divizione ka qenë mjaft i madh. Vizitorët, sipas saj, kanë pasur shumë përshtypje të mira, duke qenë se jo shpesh u jepet mundësia t’i vizitojnë hapësirat e mbyllura të Bibliotekës.

“Gjatë gjithë ditës kemi pasur interesim shumë nga qytetarë të ndryshëm dhe vizita, ku vlen të ceken grupet e shumta të studentëve nga fakultetet e Prishtinës që kanë ardhur të vizitojnë dhe të njoftohen prej afër me shërbimet e divizioneve në Bibliotekë. Përveç kësaj, qytetarë të shumtë kanë shprehur interesim të njoftohen me ato shërbime. Me të vërtetë janë impresionuar shumë, sepse jo gjithherë të gjitha divizionet kanë qasje që të pranohen vizitorët që t’i shohin prej afër, sidomos digjitalizimi është një proces shumë interesant që edhe vizitorët ishin shumë të kënaqur kur e panë gjithë punën”, ka treguar ajo.
Ka shprehur falënderim të posaçëm për të gjithë stafin e Bibliotekës “që me një punë të palodhshme dhe me vullnet shumë të madh i kryen të gjitha proceset e punës të secilit departament ose divizion që i përket”.
Aktivitete të ndryshme, “Java...” ka mbajtur edhe në rajone të tjera. Në Pejë ka organizuar ekspozitë në nderim të librit për fëmijë dhe ka ndarë çmime për lexuesit më aktivë atje. Në Prizren ka pasuruar biblioteka shkollore me fond të librave nga BKK-ja dhe nga Biblioteka Komunale e Prizrenit. Aktivitete interaktive me fëmijë e studentë për eksplorim të kreativitetit, si dhe aktivitete letrare e edukative ka mbajtur në Suharekë, teksa në Gjakovë ka mbajtur punëtori interaktive për njohuritë mbi bibliotekat me punonjës nëpër shkolla e biblioteka të atij rajoni. Me shkrimtarë janë mbajtur edhe seanca leximi. Të shtunën, kur edhe bëhet mbyllja e edicionit të 22-të të “Javës së Bibliotekës” do të përmblidhen punët njëjavore, teksa në mbrëmje, siç ka ngjarë çdo ditë të “Javës...”, do të shfaqen filma të prodhuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.