Kryetarja e Forumit të Gruas e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Qeveria po i dënon dhe “disiplinon” mësimdhënësit, teksa komentoi mosekzekutimin e pagave për kohën që ata kanë qenë në grevë.
Lushaku-Sadriu ka thënë se ekzekutivi është tallur me mësimdhënësit, duke mos menduar për dëmin që u është shkaktuar nxënësve me tejzgjatjen e grevës.
“Qeveria njëherë dënoi nxënësit dhe tani po i dënon dhe disiplinon mësimdhënësit. Disiplinim në vend të drejtës për grevë, për të ju shërbyer edhe si shembull të tjerëve. A është ky drejtimi që ka marrë shteti jonë; duke disiplinuar qytetarët dhe punëtorët publik? Në vend të talljes me mësimdhënësit duhet të mendohet për dëmin dhe frikën që i është shkaktuar nxënësve dhe prindërve, si asnjëherë në historinë e arsimit të Kosovës”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook.
Sipas saj, “ndëshkimi” i mësimdhënësve me ndalje page krijon krizë shoqërore.
“E gjithë kjo në kohën kur qeveria i mbanë paratë larg nga investimi dhe qarkullimi në ekonominë e vendit në kohë krize. Si është e mundur që ‘Qeveria me rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë'- siç thonë- të ndëshkojë shtyllën e arsimit, mësimdhënësit? Do të thotë rritja ekonomike, nuk nënkupton rritje mbështetjeje për arsimin”, është shprehur më tej ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, teksa foli për grevën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, tha se Ligji nuk parasheh kompensim të grevistëve për ditët që nuk punojnë.
Edhe
LDK: Kurti po tallet me mësimdhënësit
“Me Ligjin mbi grevën parashihet që punëtorët qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar, sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës”, ka thënë ajo.
E për moskompensim të pagës, shefi i GP së PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.