Arbëri

LDK: Marrëveshja me të cilën u dakordua Kurti ka gjithçka përveç njohjes

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas përfundimit të takimit në mes të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas LDK-së në Bruksel, kryeministri i Kosovës është pajtuar me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo në komunikatën për media të partisë opozitare thuhet se marrëveshja nuk e përmban njohjen e ndërsjëllë.

“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike. Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ky sipas LDK-së, ishte qëllimi i Serbisë.

“Gjithçka përveç njohjes - ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake - përfshirë dhe Asociacionin - si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja konsideron se menaxhimi sipas tyre, tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme.

“Përfundimi në mes të zgjedhjes së në marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”, thuhet në komunikatë.