Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar të dobët e të mbushur vetëm me fjalë, por pa masa konkrete, programin e Qeverisë Kurti, në fushën e ekonomisë.
Në një konferencë për media, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për programin “pa planifikim buxhetor”.
“Në aspektin ekonomik, ky program është i zbrazët me deklarime bosh, pa caktim të masave e objektivave konkrete dhe i pabuxhetuar. E konsiderojmë absurde që programi premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa do të jetë buxheti pas katër vitesh, sa do të jetë papunësia, sa do të jetë deficiti tregtar, investimet e huaja, sa do të rritet prodhimi vendor e si do të rritet eksporti. Për t’u bërë hapja dhe rimëkëmbja e shpejtë, duhet të ndodhë shpejt edhe vaksinimi, por përkundër premtimit në program s’ka program për rimëkëmbje, s’ka masa, s’ka buxhet. Shumë fjalë, asnjë masë, asnjë shifër”, ka thënë ai.
Mustafa ka kritikuar edhe planet e Qeversë për Bankën Zhvillimore e “rritjen e borxhit publik”. Sipas tij, aty s’është paraparë asnjë projekt i ri kapital e as buxheti për rimëkëmbjen afatgjate.