Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheq ka dalë partia me më së shumti vota në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Abdixhiku për këtë ka falënderuar votuesit e LDK-së, që siç ka shkruar në Facebook, e kanë vendosur LDK-në si partinë e parë.
“Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë - me më së shumti vota - në zgjedhjet e 17 tetorit. Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër. Puna jonë vazhdon. Në raund të dytë edhe më tej. LDK është për të gjithë. Ju faleminderit nga zemra!”, ka shkruar Abdixhiku.
E dyta me më së shumti vota në zgjedhjet e 17 tetorit doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me gjithsej 167 mijë e 519 vota, ndërsa e treta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 161 mijë e 283 vota.
Vendin e katërt e zuri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 90 mijë e 708 vota.