Arbëri

Veliu-Abdixhikut: Nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara

Agim Veliu - Lumir Abdixhiku

Foto: Arkiv

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kritikuar kryetarin e kësaj partie Lumir Abdixhiku. 

Abdixhiku ka qëndruar në krye, pasi në Kuvendin e LDK-së të shtunën 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së tij dhe 136 për. 

“Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës. LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë. Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin, e ngatërrojnë rrugën dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj. Zoti e ruajt LDK-në!” – ka shkruar Veliu në Facebook. 

LDK-ja në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit mori 13.24 për qind të votave, duke pësuar rënie të madhe krahasuar me rezultatin në shkurt të vitit të kaluar.