Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Guri: LDK-ja nuk do të ndahet

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka deklaruar se partia do të mbetet e bashkuar, pavarësisht zhvillimeve të fundit brenda saj, duke theksuar se të gjithë duhet t'u nënshtrohen vendimeve të organeve të partisë.

Ai theksoi se edhe ata që iniciuan shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku kanë deklaruar se do ta respektojnë çdo vendim që del nga Kuvendi i LDK-së, njësoj siç, sipas tij, është shprehur edhe Abdixhiku.

Kuvendi i delegatëve të LDK-së gjatë ditës së djeshme me 170 vota i dha mbështetje Abdixhikut për të mbetur kryetar. 152 ishin kundër. 

“Nëse organet e LDK-së, si Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm apo Kuvendi marrin vendime, nuk është etike që unë si deputet të mos i respektoj. Nëse shumica vendos për një vendim, unë i nënshtrohem. Kjo është demokracia”, u shpreh Guri në “Interaktiv” të KTV-së. 

Duke u përgjigjur ndaj akuzave të të pakënaqurve me Abdixhikun se në tri palë zgjedhje ka dalë i treti, Guri ka thënë se nuk beson se ka pasur votues të LDK-së që kanë pritur që partia të dilte e para në zgjedhje, duke pasur parasysh se proceset zgjedhore janë mbajtur çdo tre ose katër muaj.

Ai shtoi se nuk beson që deputetë e LDK-së do të refuzojnë ta mbështesin partinë në procesin e formimit të institucioneve.

Edhe Në LDK kundërshtohet obligimi i deputetëve për votën në Kuvend Arbëri Në LDK kundërshtohet obligimi i deputetëve për votën në Kuvend

Duke e vlerësuar si proces demokratik atë që ndodhi mbrëmë, megjithatë Guri ka pasur një porosi për disa prej anëtarëve të partisë. 

“Demokracia është ajo që ka ndodhur mbrëmë. Por i ka disa nivele edhe demokracia, mos me dalë përtej. Nuk është etike me dal me fy kryetarin e partisë, me i akuzu funksionarët e LDK-së pa asnjë argument”, deklaroi ai.