Arbëri

LDK-ja mbledh nënshkrimet për anulimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës

LDK-ja mbledh nënshkrimet për anulimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të kërkuar anulimin e dy vendimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të cilat, sipas saj, po rrezikojnë rritjen e kostos së jetesës dhe falimentimin e bizneseve.

Deputetja Hykmete Bajrami njoftoi se të hënën do të dorëzojnë në ZRRE anulimin e vendimit që ka çuar në rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%, si dhe vendimi që obligon 1300 kompani të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

“Ky vendim ka rritur çmimin e energjisë për konsumatorët dhe rrezikon të nxisë një valë të re inflacioni”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj, nga informacionet e marra nga shoqata e prodhuesve, rreth 200 kompani që kanë kërkuar oferta për furnizim me energji pas 1 qershorit kanë marrë vetëm një ofertë – nga KESCO, kompania e njëjtë që aktualisht i furnizon me energji. Kjo do të thotë, sipas Bajramit, se nuk ekziston një treg i lirë funksional në Kosovë, pavarësisht se ZRRE ka licencuar 19 operatorë për tregtim me energji.

“Oferta e vetme që kanë marrë bizneset është 260% më e shtrenjtë”, paralajmëroi ajo, duke shtuar se kjo situatë mund të çojë në falimentimin e shumë bizneseve.

Bajrami ka thënë se votat nuk i mori nga deputetët e Vetëvendosjes.

E deputetja e VV-së, Donika Gërvalla, u shpreh se këto veprime të LDK-së janë “filma jo kreativë pa fantazi”.

“Nuk e di nga kush po ja drejtojnë kërkesën ZRRE-së. Kërkesat bëhen kur konstituohet Kuvendit. Gjitha këto janë filma, filma kreativë pa fantazi”, ka thënë ajo.