LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja mbledh nënshkrime deputetësh për t’i kërkuar ZRRE-së anulimin e dy vendimeve

Gjatë kohës sa ligjvënësit kanë pritur që të nisë vazhdimi i 13-të i seancës konstituive, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka mbledhur nënshkrime për t’i kërkuar ZRRE-së anulimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës dhe atij për daljen në treg të hapur të energjisë të rreth 1.300 bizneseve. Firmat nuk i kanë dhënë deputetët e partive gjatë qeverisjes së të cilave është rritur çmimi i energjisë

Lidhja Demokratike (LDK) e ka iniciuar të premten kërkesën për anulimin e dy vendimeve – atij për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind, si dhe për daljen në treg të hapur të energjisë të rreth 1 mijë e 300 bizneseve.

Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, në vazhdimin e 13-të të seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit ka mbledhur nënshkrime nga deputetët për dërgimin e kësaj kërkese në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Iniciativa ka marrë përkrahje nga deputetë të subjekteve politike, të cilat në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, porse jo edhe prej atyre që kanë qenë në pushtet.

“Unë bëra përpjekje që të siguroj nënshkrimet edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo nuk pat mbështetje nga ana e tyre, thjeshtë u refuzova. Po tentoj që të përfshijë sa më shumë deputetë në mënyrë që t’i jap rëndësi kërkesës sonë dhe ZRRE-ja të mbështetet në kërkesën e deputetëve”, ka thënë Bajrami.

Iniciativa e LDK-së është cilësuar jokreative nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Donika Gërvalla-Schwarz.

“Të gjitha këto janë filma, madje filma jokreativë dhe pa fantazi, pasi gjithkush e din që një Kuvend që nuk është i konstituuar, nuk mund të merret me trajtimin e tyre”, është shprehur ajo.

E deputetja Bajrami e ka arsyetuar iniciativën e saj, duke thënë se anulimi i dy vendimeve do të parandalojë një valë të re inflacioni.

“Është e vërtetë që janë 19 operatorë të licencuar për energji nga ZRRE-ja, por nga ajo që jemi informuar nga shoqata e prodhuesve rreth 200 kompani, të cilat kanë kërkuar të marrin oferta për furnizim me energji elektrike pas datës 1 qershor, ata kanë marrë një ofertë të vetme dhe a e dini prej kujt, prej KESCO-s, prej operatorit që ata aktualisht furnizohen”, ka thënë ajo.

Edhe përfaqësues të bizneseve kanë përsëritur kërkesën për shtyrje prej së paku edhe një viti të vendimit për daljen në treg të hapur të bizneseve, të cilat kanë mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim.

Në një reagim të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) thuhet se ky vendim e godet prodhimin vendor dhe ndikon që të humbet konkurrueshmëria me produktet e importuara, si dhe rrezikon praninë e tyre në tregjet e huaja.

E në një reagim të Oda Ekonomike Amerikane theksohet se mungesa e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare rrezikon të sjellë pasoja të rënda financiare për sektorin privat dhe të dëmtojë konkurrueshmërinë e tij.

KOHA ka raportuar se si ofertat që kanë pranuar bizneset për furnizim me rrymë janë mbi 200 për qind më të larta sesa çmimet aktuale të furnizimit.