Arbëri

Bajrami: ZRRE-ja ka dështuar të sigurojë treg të lirë të energjisë

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për dështim në krijimin e një tregu të hapur dhe konkurrent të energjisë në Kosovë. Nga 1 qershori ka hyrë në fuqi vendimi që 1300 biznese të dalin në treg të hapur të energjisë. Megjithatë, kjo ka nxitur reagime të ashpra e protesta nga bizneset.

“ZRRE-ja është dashur të dalë publikisht dhe të pranojë se nuk ka konkurrencë të lirë në treg. Kompanitë nuk po e refuzojnë tregun e hapur, por problemi është se tregu nuk është i lirë”, ka thënë Bajrami në “Konfront”.

Sipas saj, vendimi për të dalë në treg të hapur po u shkakton padrejtësi të madhe mbi 1300 bizneseve në Kosovë, “çka do të reflektojë me dëme të mëdha për ekonominë dhe qytetarët – përmes rritjes së çmimeve dhe humbjes së vendeve të punës”.

Bajrami kërkoi që Prokuroria të hetojë lidhjet e mundshme mes kompanive që mashtruan në tregun e energjisë dhe zyrtarëve të Qeverisë, ndërsa shtoi se ZRRE-ja, KOSTT-i dhe Ministria e Ekonomisë kanë dështuar në mbikëqyrjen e situatës.

Ajo kritikoi edhe ministrin e Financave, duke thënë se “nuk ka pasur kurrë në histori ministër që vjen të kërkojë votat e opozitës dhe pastaj, dy minuta më vonë, i ofendon deputetët e saj”.


Bajrami: Ministrat po ua delegojnë zëvendësministrave kompetencat për nënshkrim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria në detyrë po i keqpërdor resurset, zyrat, buxhetin dhe kompetencat.

Ajo ka theksuar se ministrat në detyrë po ua kalojnë kompetencat për nënshkrimin e dokumenteve zëvendësministrave të tyre për t’u ikur hetimeve. Sipas saj, kjo është shkelje.

“Kemi dorëzuar 17 kallëzime penale sepse janë 16 ministra dhe një zëvendësministra që janë deputetë. Ata kanë marrë vendime të ndryshme. Prej ditës kur kemi dorëzuar kallëzimet penale kemi informacione nga ministritë që tash kompetencat për nënshkrim ministrat ua kanë kaluar zëvendësministrave, por ata qëndrojnë në zyre. Kjo është shkelje e dyfishtë... Është e vërtetë që prej ditës kur LDK ka dorëzuar kallëzimet penale,. Këta nuk janë duke nënshkruar dokumente, dokumentet po i nënshkruajnë zëvendësit e tyre. Por kjo është shkelje e dyfishtë sepse po qëndrojnë në zyre dhe po ushtrojnë ndikimin”, ka thënë Bajrami në “Konfront”.


Bajrami: Albin Kurti po përdhos institucionet e Kosovës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka quajtur “përdhosës së institucioneve” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës pasi po ushtron pozitën ekzekutive edhe pse është betuar si deputet.

“Në zgjedhjet e fundit nuk kemi fitues që i ka numrat ta bëjë Qeverinë vetë. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ende po sillen me logjikën e votës së vitit 2021, si në Kuvend ashtu edhe në institucione”, ka thënë Bajrami në “Konfront” të KTV-së, duke iu përgjigjur deklaratës së Kurtit, i cili gjatë ditës së sotme ka ironizuar me opozitën duke thënë se ajo po ia zgjat mandatin në qeveri.

Sipas Bajramit, qëndrimi i Kurtit në pushtet është antikushtetues.

“Neni 72 i Kushtetutës sanksionon që një deputet që ka dhënë betimin dhe mban pozitë ekzekutive nuk mund të qëndrojë në të dyja. Në këtë mënyrë, Kurti është në pushtet në mënyrë krejtësisht jokushtetuese”, theksoi deputetja e LDK-së.

Ajo shtoi se LDK-ja është treguar e përgjegjshme dhe ka propozuar një qeveri transitore, por ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokim të procesit, veçanërisht për insistimin në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

“Jemi lodhur duke ia lëshuar rrugën Albin Kurtit dhe ai, në vend se të tregojë përgjegjësi, vazhdon të jetë shkelës i Kushtetutës, i ligjeve dhe përdhosës i institucioneve të Kosovës”, u shpreh Bajrami.

Konstituimi i Kuvendit ka dështuar 36 herë radhazi, çka ka lënë vendin pa institucione të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.