Takimi i ftuar të mërkurën nga LDK-ja për ta diskutuar daljen në treg të hapur të energjisë të bizneseve të mëdha është bojkotuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe Autoriteti i Konkurrencës. Deputetja Hykmete Bajrami, e cila i ka kritikuar të dyja institucionet, pati replikë edhe me përfaqësues të KESCO-s
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK) nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në takimin e thirrur të mërkurën nga Lidhja Demokratike (LDK) për të diskutuar rreth obligimit të bizneseve për të dalë në treg të hapur të energjisë.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se të dyja këto institucione i janë shmangur takimit, duke u bazuar në emër të pavarësisë së tyre.
“Në fakt këta i raportojnë Kuvendit dhe do të duhej të ishin sot prezentë. Sapo isha në telefon me kryetarin e Bordit të ZRRE-së, dhe ai tha se nuk ka marrë aprovim nga anëtarët e tjerë të bordit për të marrë pjesë në këtë takim kinse, sipas tyre, çështja e çmimit të energjisë elektrike dhe çrregullimit të tregut po politizohet në Kuvend”, ka theksuar Bajrami.
Deputetë të LDK-së dhe ata të Partisë Demokratike (PDK), si dhe disa të komuniteteve e kanë kundërshtuar vendimin që bizneset të dalin në treg të hapur të energjisë, me arsyetimin se mungon konkurrenca.
“Fatkeqësisht sot ata që do të duhej t'i kemi, të përgjigjen për situatën që po krijojnë, ZRRE-në, e që është shndërruar në një degë të partisë në pushtet dhe ka dalë prej mandatit të saj komplet. Do t’i ngremë shqetësimet tona por nuk e kemi adresën për të marrë përgjigje”, ka thënë Abelard Tahiri, deputet i PDK-së.
Përfaqësuesja e KESCO-s, Edona Sahiti, ka thënë gjatë takimit se kompania nuk mund të marrë barrë që nuk i takon.
“Nuk kemi kompetencë. Janë edhe 18 furnizues të tjerë. Andaj, këta 18 furnizues tjerë nuk po pyeten se çka po mendojnë për këtë lloj interpretimi dhe mendoj se është e padrejtë edhe KESCO të vihet në pozicion të tillë që i kërkohet një interpretim, duke qenë se janë institucionet tjera që kanë kompetenca rregullative”, ka thënë Sahiti.
Por ky qëndrim i saj ka nxitur kritika nga deputetja Bajrami.
“Jeni ju që e keni të drejtën ekskluzive të shërbimit universal për furnizim me energji elektrike, nuk mund të shkojmë të pyesim një kompani pse po i përjashton prodhuesit prej tregut të rregulluar, kur ata nuk janë duke furnizuar”, ka reaguar deputetja e LDK-së.
E përfaqësues të bizneseve, të cilët kanë marrë pjesë në takim, e kanë kundërshtuar daljen në treg të hapur të energjisë, me justifikimin se ua ka rritur koston. Ata kanë përsëritur kërkesën për shtyrje të vendimit edhe për një vit.
Në ZRRE kanë njoftuar se nga 1 qershori, bizneset të cilat kanë mbi pesëdhjetë të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në treg të hapur të energjisë.