Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke thënë se nëse ZRRE-ja nuk e pezullon sot vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.
Sipas Bajramit, rreth 140 mijë vende pune janë në rrezik, ndërsa përjashtimi i bizneseve nga tregu i rregulluar mund të shkaktojë një valë të re inflacioni që do të prekë çdo produkt.
“E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor”, shkruan Hajdari në Facebook.
Ish-ministrja e Financave ka theksuar se Prokuroria nuk duhet të ketë tolerancë për bordin e ZRRE-së.
“Le të tregojë ZRRE-ja si institucion mbikëqyrës: Pse bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor? Pse importi i energjisë në qershor është rritur 800% krahasuar me muajin maj? Kush janë përfituesit e kësaj skeme? Emrat tashmë dihen: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, tregtarët tjerë me nga dy punëtorë, e tash e tutje në rrethin e përfituesve pritet me hy edhe kompanitë e licencuara së voni nga ZRRE-ja që kanë lidhje të ngushta me politikën”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, ZRRE po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze.
“Prokuroria o sot, o kurrë”, ka theksuar tutje ajo.