Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet në seancën plenare të mbetur në gjysmë javën e shkuar. Por, LDK e Vetëvendosje kanë qëndruar në sallë vetëm për të votuar një marrëveshje ndërkombëtare që kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe kanë votuar projektligjin për Kodin e Procedurës Penale.
Ndërkohë është shqyrtuar në parim projektligji për transmetuesin publik. Xhevahire Izmaku nga Komisioni për media ka thënë se nëse do të largohet versioni aktual i financimit do të ketë mundësi që Kosova të ketë një transmetues publik që ka pavarësi editoriale, raporton KTV.
Shqipe Pantina nga PSD-ja ka thënë se RTK-ja ka shumë probleme, ka probleme me pronën, me kushtet e vështira që punojnë punëtorët, por mbi të gjitha me pavarësinë editoriale. Ajo tha se të gjitha këto probleme në RTK janë për shkak të menaxhimit të dobët.
“Kur deputetë e partive të caktuara vendosin t’i heqin duart nga ndikimi që kanë në RTK, qoftë në punësimet që bëhen atje, me kritere e pa kritere, qoftë me ndërhyrjet në menaxhment”.
Rasim Selmanaj i AAK-së ka thënë se Kosovës i duhet një medium i fuqishëm publik prandaj miratimi i ligjit sipas tij do të hapte rrugën për pavarësi editoriale dhe shmangie nga ndikimet politike. Ky projektligj ka dështuar të votohet në mungesë të kuorumit.