Dy komisionet e formuara në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Podujevës, nuk kanë asnjë anëtar nga radhët e asamblistëve të Lidhjes Demokratike.
Në këtë parti opozitare thonë se po shohin tendencë për ta eliminuar nga çdo komision të Kuvendit. Meqë në komisionin për themelimin e këshillave të fshatrave nuk është lënë asnjë vend i lirë për t’i plotësuar me asamblistë të LDK-së, ky subjekt politik i është drejtuar institucioneve qendrore.
“Grupi i LDK-së e kemi deponuar një ankesë sa i përket këtij Komisioni në MAPL duke kërkuar interpretimin e ligjshmërisë së gjithë kësaj. LDK-ja si Grupi më i madh opozitar ka qenë i përjashtuar si asnjëherë nga të gjitha komisionet dhe ndërmarrjet publike të cilat kanë kaluar përmes Kuvendit të Komunës”, ka thënë Qëndrim Softolli, këshilltar komunal i LDK-së në Podujevë.
Akuzat i kanë mohuar shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Haki Rudari dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hilmi Hoxha. Sipas tyre, LDK-ja e ka përjashtuar vetveten, duke mos qëndruar në mbledhje të Kuvendit Komunal.
“Nuk është e vërtetë, nuk ka tendencë, përkundrazi, unë kam ofruar dorën e bashkëpunimit për subjektin më të madh opozitar. Por, megjithatë kur braktisen punimet dhe s’marrin pjesë nëpër seanca, ai është faji i tyre, përgjegjës janë ata”, ka thënë Rudari.
Edhe
Sipas DFK-së, kuvendarët në Podujevë nuk po e arsyetojnë rritjen e pagave
“Ata vetvetën e kanë përjashtuar, se në të tjera komisione kur kanë qenë prezentë dhe kanë propozuar, dihet se janë votuar. Ata janë anëtarë të Komitetit për Politikë dhe Financa me tre anëtarë, në Komitetin për Komunitete janë me dy anëtarë, komitetet që janë krijuar më vonë edhe tri komitete: Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale janë të përfaqësuar, Komiteti për Zhvillim Ekonomik e kanë edhe kryesuesin, Komitetin për Barazi Gjinore edhe aty janë të përfaqësuar me një anëtar”, ka thënë Hoxha.
Për dallim prej Komisionit për themelimin e këshillave të fshatrave, Rudari e Hoxha kanë thënë se në Komisionin për hartimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2023 e kanë lënë një vend të zbrazët me qëllimin që LDK-ja ta propozojë anëtarin e saj.