Kuvendarët e LDK-së kanë pamundësuar mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit Komunal të Podujevës.
Shkak është bërë ndalja e mëditjeve për mbledhjen e muajit të kaluar, pasi ata e kishin lëshuar seancën që në fillim.
Megjithatë, zyrtarët e kësaj partie opozitare po konsiderojnë se kjo është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Sipas tyre, Kuvendi nuk ua ka dhënë një vendim për të parë se ku është bazuar, kur ua ka ndalur këto mëditje.
“Arsyeja është për ndaljen e mëditjeve të Grupit të kuvendarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk ka pasur kurrfarë arsyetimi ligjor. Prandaj na jemi thirrur vetëm të na japin nga një vendim me arsyetimin për çka na janë ndalur dhe në çfarë baze ligjore janë thirrur për me na i ndalur mëditjet tona. Unë si shef i Grupit kam kërkuar që pika e diskutimit rreth kësaj çështjeje të dalë si pikë e parë e rendit të ditës. Pushteti, siç dihet me arrogancën e vet, nuk donte të na lejonte si pikë të parë të rendit të ditës diskutimin e kësaj pike”, tha Valon Demolli, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Podujevë.
Pasi nuk kanë arritur të marrin votat për ta futur këtë si pikë të rendit të ditës dhe ajo të renditet si pikë e parë, këshilltarët e LDK-së kanë dalë afër foltores, duke e pamundësuar mbajtjen e kësaj seance.
Partia në pushtet ka kërkuar që të shkohet në pauzë 15-minutëshe. Por pas pauzës kryesuesi, Hilmi Hoxha, e ka shtyrë mbledhjen për të enjten.
Hoxha nuk ka dashur të deklarohet për çështjen e mëditjeve e as për seancën e ditës së sotme.
Ndërkohë, Haki Rudari nga Vetëvendosje e ka quajtur të paarsyeshme bllokimin e seancës nga LDK-ja.
“Ata fare nuk kanë marrë pjesë në miratimin e rendit të ditës dhe fare nuk i kanë përcjellë pikat e rendit të ditës. Ka pasur raste që është ndërprerë ndonjë pikë e rendit të ditës, por, megjithatë, këshilltarët kanë marrë pjesë. Në këtë rast ata vetëm e kanë lajmëruar daljen edhe atë janë thirrur në një arrogancë pa filluar seanca dhe janë thirrur në shkelje ligjore që nuk është e vërtetë. Seanca është thirrur në mënyrë të rregullt. Është thirrur në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe rregulloreve në bazë të të cilave parashihet. Prandaj unë po e them se Kuvendi duhet të jetë debat, të jetë arenë e debateve demokratike të parapara me ligj dhe rregullore. Nuk mundet Kuvendi Komunal të ketë imponim. Nuk mundet me ia imponua votën askush askujt”, tha Rudari.
Në anën tjetër, Valon Demolli nga LDK ka thënë se edhe të enjten do të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe nuk do të lejojnë vazhdimin e seancës, pa ua dhënë vendimin me arsyetimin e ndaljes së mëditjeve.