Kuvendi i Podujevës ka dështuar të zgjedh kryesuesin në mbledhjen e jashtëzakonshme që është thirrur pwr të premten. Partitë opozitare LDK, PDK e AAK e kanë lëshuar seancën, duke e pamundësuar vazhdimin e saj. Partia më e madhe në Kuvend, LDK-ja nuk ka pritur as të bëhen propozimet për anëtarë të Komisionit që do të monitoronte votimin për kryesues.
Kur është kërkuar nga LDK-ja që të jap emrin për këtë komision, këshilltari i LDK-së, Valon Demolli, ka thënë se do ta bojkotojnë këtë proces.
“Vetëvendosje bashkë me PDK-në dhe AAK-në qysh i kanë fituar zgjedhjet i kanë edhe votat për kryesues”, është shprehur Demolli, ku dhe e kanë lëshuar sallën.
Pas tyre kanë dalë edhe tre këshilltarët e AAK-së. Ndërkohë, PDK-ja i kishte në sallë dy këshilltarë Komunalë. Bashkim Syla nga kjo parti ka thënë se nuk ka kuorum për të vazhduar mbledhja.
“Pa betimin e të gjithë këshilltarëve është e papranueshme që të vazhdohet dhe ne nuk do ta përkrahim asnjë kandidat për kryesues. Edhe ne do ta bojkotojmë mbledhjen”, ka thënë ai.
Pas kësaj situate, në foltore ka dalë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi. Ai ka thënë se tash opinioni publik e sheh se kush me kë ka marrëveshje.
“Sinqerisht ndihem shumë keq që partia që i ka marrë votat për të udhëhequr me Kuvendin e lëshon mbledhjen dhe pamundëson punën e këtij Kuvendi. Ne si Vetëvendosje nuk kemi asnjë marrëveshje me askënd dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë. Është për keqardhje që subjektet politike në këtë moment e lëshojnë mbledhjen dhe tash opinionin publik e di se kush me kë ka marrëveshje”, ka theksuar Bulliqi.
Ndërkohë, kryesuesi i kësaj mbledhje, Hilmi Hoxha, si më i vjetri këshilltar, e ka shpallë të mbyllur mbledhjen, për shkak se nuk kishte kuorum.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit LDK ka fituar 14 ulëse në Kuvendin Komunal të Podujevës,
LVV 13, PDK 4, AAK 3 dhe OBKD 1.