Kuvendi Komunal i Podujevës rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje po qe se zgjedhja e kryesuesit nuk bëhet deri më 3 janar. Përpjekja e fundit në këtë drejtim dështoi javën e shkuar, ngase tri partitë opozitare e braktisën mbledhjen. Kryetari i Komunës ka thënë se preferon zgjidhje para zgjedhjeve, ndërsa nuk tregon se cilat janë kërkesat e opozitës e as oferta e pushtetit
Më pak se 10 ditë kohë i kanë mbetur Kuvendit Komunal të Podujevës për ta zgjedhur kryesuesin e tij. Në të kundërtën, subjektet politike do të detyrohen që t’i nënshtrohen sërish procesit zgjedhor.
Kjo pasi që zgjedhjet e 17 tetorit nuk ia dhanë shumicën asnjërës prej tyre për ta jetësuar procesin si i vetëm.
Një përpjekje për zgjedhjen e kryesuesit ka dështuar javën e shkuar, kur tri partitë opozitare – LDK, PDK e AAK - e braktisën mbledhjen.
Shpejtim Bulliqi, kryetar i porsazgjedhur i Komunës së Podujevës, thotë se subjekti i tij parapëlqen gjetjen e një zgjidhjeje para zgjedhjeve.
“Po, është e vërtetë që ne i kemi pasur disa diskutime, të cilat i kemi bërë me partitë opozitare dhe kemi diskutuar edhe për formën, mënyrën se qysh do të dalim nga kjo situatë. Ne kemi shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit dhe jemi të hapur për bashkëpunim brenda mundësive dhe kushteve të cilat i parasheh, po them zgjidhja e këtij problemi”, ka thënë Bulliqi.
Ai thotë se ditëve të ardhshme pritet të intensifikohen takimet me opozitën për gjetjen e zgjidhjes.
Përmend PDK-në dhe AAK-në si partnerë të mundshëm, ngase vetëm me një subjekt nuk e arrin shumicën. Megjithëkëtë, shprehet i rezervuar kur pyetet rreth kërkesave të opozitës dhe ofertës së pushtetit për bashkëqeverisje.
“Sigurisht që ne si subjekt politik jemi duke punuar në këtë drejtim dhe nuk kemi vija të kuqe. Por nuk e kemi përcaktuar as tavanin. Ajo çka është kah kërkohet nga ne është me pa cila është pesha e tyre e përfaqësimit brendapërbrenda Asamblesë Komunale dhe konform kësaj peshe të përfaqësimit, normal të zhvillohen brenda këtyre kondiktave edhe diskutimet për mundësinë dhe mënyrën e bashkëqeverisjes”, ka thënë ai.
KOHA ka provuar të marrë qëndrimet e zyrtarëve të LDK-së, PDK-së e AAK-së, por ata nuk janë deklaruar.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit, këshilltari i LDK-së, Valon Demolli, pati thënë se partia nuk merr pjesë në procesin e zgjedhjes.
Demolli ishte shprehur se mjaftojnë votat e PDK-së e AAK-së për përmbylljen e procesit. E pas kësaj, edhe këto dy subjekte opozitare e lëshuan mbledhjen.
Mbledhja e radhës për zgjedhjen e kryesuesit është thirrur për 29 dhjetor.