Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar ndihmë urgjente nga Qeveria pas vërshimeve dhe përmbytjeve që ka përfshirë këtë Komunë ditën e shtunë.
Latifi thotë kanë formuar Shtabin Emergjent të Komunës. Megjithatë, ka kërkuar ndihmë nga Qeveria pasi thotë se gjendja është e rënduar. Ka premtuar kompensimin e dëmeve për familjet e prekura.
“Që nga orët e hershme të mëngjesit jemi duke u ballafaquar me gjendje të rënduar, pas reshjeve të shumta të shiut. Me vendimin tim do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Kreu i Rahovecit ka thënë se veçanërisht në fshatrat Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol, ka pasur dëme më të mëdha.
Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë të telefonojnë numrin e njësisë së zjarrfikësve (029-277-555).
“Iu bëj thirrje qytetarëve të rrisin kujdesin dhe mos të lëvizin në pikat ku ende ka pasiguri dhe rrezik”, ka shkruar tutje ai.
Dëme të mëdha nga vërshimet dhe përmbytjet në Rahovec, kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë Që nga orët e hershme...
Posted by Smajl Latifi on Saturday, September 17, 2022
Vërshime ka pasur edhe në Gjakovë.